Mbi 400 letërnjoftime janë shtypur me emrin e ri kushtetues Republika e Maqedonisë së Veriut. Mbi 70 mijë të tjerë presin për t’i marrë dokumentin e identifikimit. Qytetarët të cilët janë fotografuar nga data 5 deri 7 korrik i kishin gati letërnjoftimet.
“E morët letërnjoftimin e ri? Po. Sa kohë keni prit? Unë kam aplikuar me 6 korrik”.
Një pjesë tjetër u kthyen të nervozuar pasi me muaj presin për letërnjoftim.
“Nuk është gati. Kur do të jetë gati? Do të jetë për një javë. Nuk mund ta regjistroj veturën pa letërnjoftim pasi që kanë kaluar një muaj që kam aplikuar.
Gazetarja: Nuk e keni gati? Jo nuk është gati. Çfarë ju thanë? Asgjë…
“Aplikimet nga data 5 korrik janë gati. Ju kaloni javën e ardhshme dhe shihni a e keni gati letërnjoftimin”.
E disa morën letërnjoftime me emrin e vjetër.
Me ritëm të përshpejtuar po shtypen letërnjoftimet informojnë nga MPB. U bëjnë thirrje qytetarëve të mos bëjnë rrëmujë para shërbimeve administrative të Ministrisë së Brendshme pasi që në kohë do të informohen kur do t’i kenë gati letërnjoftimet.
“Apelojmë deri te qytetarët për durim. Të gjithë qytetarët të cilët kanë aplikuar për letërnjoftim do t’i informojmë me kohë se kur do ta kenë gati letërnjoftimet dhe në cilën vend duhet ta marrin të njëjtin”, thanë nga MPB-ja.
Në Kuvend janë dorëzuar ndryshime për Ligjin për Letërnjoftim, por ai është bllokuar mes 1.500 amendamenteve të partisë E Majta, të cilat i dorëzoi për shkak të kërkesës së Lëvizjes Besa – në dokumentet personale të figurojë edhe përkatësia etnike. E për këtë u soll akt nënligjor për harmonizim e Ligjit për Letërnjoftim me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, që të mund të vazhdojë procesi i lëshimit të dokumenteve të identifikimit. Se përse nuk është bërë kjo më herët kryeministri i vendit Zaev me përgjigje.
“Më herët nuk kishim zgjidhje. Këto dy muaj kanë punuar të gjithë ekspertet jurist dhe shërbimet që bashkërisht të gjejnë zgjidhjen, sepse në kushte kur nuk miratohet ligji i ri për letërnjoftime vlen ligji i vjetër. Kreativiteti i shërbimeve ligjore, sidomos në Ministrisë e Punëve të Brendshme së bashku me Kuvendin, pohuan se Ligji për përdorimin e gjuhëve është bazë e mjaftueshme dhe vetë Kushtetuta është bazë e mjaftueshme”, deklaroi Zaev.
Në bazë të nenit 13, 14 dhe 23 të Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe në bazë të Kushtetutës së RMV-së, u gjet formulimi juridik. Sipas nenit 23 të Ligjit për Gjuhët thuhet se në afat prej një viti nga dita e hyrjes së këtij ligji, të gjitha institucionet obligohen që t’i zbatojnë aktet nënligjore. Ndryshe, dokumentet e identifikimit me emrin e vjetër kushtetues do të mund të shfrytëzohen deri më 12 shkurt të vitit 2024.
