Mungesa e anesteziologëve! Profesion premtues, por që nuk i tërheq të rinjtë

TË FUNDIT

Mungesa e anesteziologëve është problem global, por në Maqedoni si shtet më i vogël, ky deficit vërehet më shumë, vlerëson anesteziologia Laureta Mena. Shton se në këtë drejtim duhet të stimulohen specializantët e rinj, por pa i detyruar, sepse kjo gjë vetëm se do t’i largonte më shumë.

“Edhe nëse shihet në qytetet tjera më të vogla në Maqedoni, në fakt ka spitale që nuk kanë aspak anesteziolog, apo kanë anesteziolog para pensionit ose që e kanë vazhduar pensionin disa vjet deri sa ai kuadër të mbushet. Nëse ti ia obligon dikujt, që e ke patjetër ta marrësh këtë specializim edhe nuk ke zgjidhje tjetër, ai do të ikë”, tregon Mena.

Anesteziologia Snezhana Zaharieva thekson se është momenti i fundit që Ministria e Shëndetësisë të ndërmerr diçka që mjekët e rinj të zgjedhin për specializim degët që janë më deficitare.

“Fakt është se ndër vite anesteziologjia nuk ka qenë një specialitet tërheqës. Mendoj se ka ardhur koha që diçka të ndryshojë në këtë drejtim kur të jepen specializimet. Mendoj se është një degë jashtëzakonisht premtuese por fatkeqësisht interesi është i vogël. Pra, tekstualisht çdo spital ka të dhëna se cili personel është më i mangët dhe për të plotësuar ato specializime fillimisht”, thotë Zaharieva.

Ministri i shëndetësisë Bekim Sali, pa folur në detaje, tha se me stimulimet e parapara për specializantët për vitin e ardhshëm, pritet të rritet numri i kuadrove deficitare.