Muhamed Asani pas shkarikimit: Me përgjegjësi e bëra punën time, ndërgjegjja ime është e pastër

TË FUNDIT

Pas shkarkimit nga funksioni drejtor i Spitalit të Përgjithshëm të Strugës, Dr. Muhamed Asani përmes statusit në Fesjbuk iu drejtua opinionit, në të cilin pohon se e ka bërë punën e tij me përgjegjësi dhe se ndërgjegjja e tij është e pastër. Lidhur me akuzat për heqjen e organeve të një paciente nga Dibra, gjinekologu tregon se ajo personalisht nënshkroi se pajtohet me prerjen cezariane dhe rreziqet e mundshme dhe se veshkën ia kanë hequr kirurgët që ishin në operacion.

“Deri më sot kam heshtur, jo se nuk kisha ç’të thoja dhe as se nuk e kisha ndërgjegjen e qetë, siç mund të kenë menduar disa! Kam heshtur vetëm në respekt të vendimit të autoriteteve ligj-zbatuese. Pra, edhe pse jam vendosur përballë sulmeve të drejtuara ndaj meje ligësisht dhe në mënyrë krejt të qëllimtë, kam menduar se do ishte e arsyeshme të flisnin më parë institucionet përgjegjëse.

Është mjaft e dukshme që e gjithë kjo batërdi me sulme të njëpasnjëshme nga individë dhe portale që nuk më njohin as mua personalisht dhe as punën time, duke përjashtuar këtu mediat serioze, është thjesht dhe vetëm një sulm i iniciuar nga akuza të njerëzve që janë nxitur nga konkurrenca dhe individë me frymë anti-shqiptare nacionaliste. Pavarësisht se në dukje është një sulm për pozicionin tim si mjek, në fakt ishte një sulm i mirëfilltë për pozicionin tim si drejtues i Spitalit të Strugës, pozicion të cilin unë e mbajta me meritë dhe duke përmbushur të gjitha kriteret, prej më shumë se një viti.

Në lidhje me rastin e publikuar në media, janë thënë e stërthënë gjëra të cilat vetëm imagjinata e dikujt që do me çdo kusht të gjejë një fajtor mund t’i thotë.

Pacientja është pranuar në spital dhe është bërë përgatitja për operacion sipas të gjitha protokolleve.

“Ka qenë operacioni i dytë Cezarian dhe dihet që pasi është kryer më parë një operacion, rreziqet edhe komplikimet shtohen në ndërhyrjen pasardhëse. Pacientes i është shpjeguar procesi i operacionit, rreziqet edhe komplikimet që mund t’i vinin gjatë dhe pas operacionit dhe ajo me vetëdije të plotë i ka pranuar dhe ka nënshkruar për këtë gjë.

Në periudhën post-operatore ka qenë nën kontroll të vazhdueshëm çdo ditë prej ekipeve kujdestare (nga dy mjekë specialistë gjinekologë dhe katër motra akushere çdo ditë), të cilët kanë vërtetuar gjendjen stabile të pacientes”, shkruan Asani.

Në ditën e pestë post-operatore pacientja ka pësuar një komplikacion të menjëhershëm (hemoragji abdominale) duke çuar deri në shok hemoragjik, gjendje shumë serioze dhe e rëndë që rrezikon jetën e pacientes, nëse nuk bëhet një ndërhyrje adekuate dhe e shpejtë.

“Urgjentisht hymë në sallë të operimit një ekip i përbërë nga dy gjinekologë, dy kirurgë dhe dy anestezistë, pra një grup mjekësh të specializuar, duke punuar secili në fushën tonë. Pas një pune të jashtëzakonshme, e cila zgjati plot 8 orë, arritëm të shpëtonim jetën e pacientes.

Dua të theksoj dhe sqaroj njëherë e mirë, se gjinekologu nuk heq veshka. Një aludim ky i bërë nga disa portale e individë të cilët, ose nuk e kanë absolutisht idenë e mjekësisë, ose e thonë vetëm për qëllime tendencioze. Heqja e veshkës është bërë nga ana e kirurgëve të cilët kanë patur indikacion për atë veprim, sepse vetëm duke sakrifikuar veshkën kanë pasur mundësinë të ndalojnë hemoragjinë që vinte nga aty (kjo është lehtësisht e verifikueshme në të gjitha dokumentacionet)”, shkruan ish drejtori i Spitalit të Strugës.Ai thekson se puna e bërë gjatë këtij operacioni është një punë e vështirë, që mund të bëhet në klinika më të specializuara, por me një përkushtim dhe këmbëngulje nga i gjithë ekipi, ne e përfunduam me sukses. Më pas pacientja u dërgua në klinikën intensive për trajtim të mëtejshëm dhe evaluim.

Ai thotë se ndërhyrja është kryer në mënyrë profesionale dhe është vlerësuar pozitivisht gjatë pranimit të pacientes në karil, ndërsa më pas edhe nga komisioni i formuar nga Oda e Mjekëve.

“Pas një analize të hollësishme të rastit, u mir vendim: Nuk është konstatuar asnjë shkelje gjatë ndërhyrjes, nuk u gjet asnjë gabim mjekësor dhe çdo hap ishte në përputhje me protokollet mjekësorë”, ka shkruar Asani.

Thotë se me punën e tij të përkushtuar për më shumë se 30 vjet ka dëshmuar se nuk është një mjek neglizhentë dhe se e sakrifikoi kohën e tij për familjen që të ishte në shërbim të secilit që kishte nevojë për të.