Mucunski: Pa garanci nga BE-ja, s’ka ndryshime kushtetuese! LSDM: Pushteti po e pengon hyrjen në BE me fushatë kundër futjes së pakicave

TË FUNDIT

Ministri i punëve të Jashtme Timço Mucinski shprehet këmbëngulës se për momentin nuk mund të bëhen ndryshimet kushtetuese për futjen e bullgarëve. Kjo, sipas tij, mund të ndodhë vetëm nëse krijohet besim i ndërsjellë, që nënkupton nëse Maqedonisë i jepen garanci nga të gjitha vendet anëtare të BE-së.

“Ajo që mund të them është se ne si shtet mbetemi të përkushtuar në reformat europiane, mbetemi me orientim të qartë strategjik në politikën e jashtme, por gjithashtu fort qëndrojmë në pozicionin se në këtë moment nuk ka kushte për ndryshime kushtetuese. Kushte për ndryshime kushtetuese mund të krijohen  në bazë të ndërtimit të besimit të ndërsjellë, që e themi shpesh, e ky besim i ndërsjellë mund të ndërtohet nëse fillimisht ka garanci institucionale.  Gjë për të cilën besoj se nuk ka problem tek të gjitha shtete anëtare, përveç njërës. Këtu është shqetësimi më i madh”, theksoi Timço Mucunski, ministër për Punët të Jashtme

Duke paralajmëruar takim të nivelit të lartë javën e ardhme në Sofje, Mucunski tha se marrëdhëniet mes dy vendeve duhet të vazhdojnë përmes komunikimit të vazhdueshëm, pavarësisht vështirësive dhe çështjeve të hapura.

E nga ana tjetër, opozita LSDM vazhdon akuzat ndaj pushtetit se po e përdor temën e futjes së bullgarëve në Kushtetutë vetëm si një alibi që shteti të mos vazhdojë rrugën evropiane.

Qëllimi final është krejt i qartë, është që të bëhet një fushatë antieuropiane që të ndalohet futja e pakicave e me këtë të ndalet hyrja e Maqedonisë në BE.  Pjesë e këtij skenari është edhe patriotizmi i rrejshëm i Mickoskit. Me propagandën e tij ai me muaj shpërndan gënjeshtra dhe siguron se nëse duhet do të hamë rrënjë, se nëse futen pakicat në Kushtetutë me këtë do të rrezikoheshka gjuha, kultura dhe identiteti ynë maqedonas”, tha Andrej Zhernovski, LSDM.

Opozitarët LSDM vazhdojnë të kërkojnë referendum, ku qytetarët vetë do të vendosin për të ardhmen evropiane të vendit.