Mucunski nga Brukseli: Ballkani Perëndimor të mos mbetet më “zonë gri” e Evropës, të largohemi nga bilateralizimi i kritereve për anëtarësim

TË FUNDIT

Zgjerimi është imperativ si për Bashkimin Evropian ashtu edhe për vendet kandidate – deklaroi sot ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, para fillimit të Këshillit për Punë të Jashtme të Bashkimit Evropian në Bruksel, të cilin e kryeson përfaqësuesja e lartë e BE-së për punë të jashtme dhe politikë sigurie, Kaja Kallas.

Bëhet fjalë, theksoi kreu i diplomacisë, që Ballkani Perëndimor të mos mbetet më “zonë gri” e Evropës dhe të krijohet një grup shtetesh me një rrugë të qartë dhe kredibile drejt anëtarësimit.

Mucunski theksoi se vendi ka arritur rezultate konkrete në zbatimin e Agjendës së Reformave, veçanërisht në muajt e fundit, duke nënvizuar se është 100 për qind i harmonizuar me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, gjë që, siç tha ai, dëshmon jo vetëm përkushtimin ndaj reformave, por edhe orientimin e qartë strategjik drejt anëtarësimit në Union.

“Mesazhi ynë për shtetet anëtare është i shumëfishtë. Është e nevojshme të largohemi nga bilateralizimi i kritereve të pranimit, por edhe të forcohet angazhimi për çështje që shkojnë përtej vetë procesit të zgjerimit, veçanërisht në fushat e sigurisë dhe mbrojtjes, ekonomisë dhe tregtisë, sigurisë energjetike, sigurisë ushqimore dhe digjitalizimit”, theksoi ministri Mucunski.

Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, në kuadër të agjendës së Këshillit u diskutuan marrëdhëniet e BE-së me Ballkanin Perëndimor, me fokus në çështjet aktuale të politikës së jashtme dhe të sigurisë me interes të përbashkët, duke përfshirë forcimin e bashkëpunimit në fushën e politikës së jashtme, sigurisë dhe mbrojtjes, agresionin rus ndaj Ukrainës, si dhe pasojat më të gjera rajonale të zhvillimeve globale.

Në fjalimin e tij, Mucunski theksoi përkushtimin e vendit për të qenë partner i besueshëm i Bashkimit Evropian në përballjen me sfidat aktuale gjeopolitike. Ai nënvizoi harmonizimin e vazhdueshëm me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, si dhe gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në këtë fushë. Gjithashtu, u theksua rëndësia e përfshirjes së rajonit në iniciativat e BE-së që synojnë forcimin e kapaciteteve kolektive dhe rezistencës ndaj kërcënimeve të jashtme të sigurisë.

“Një fokus i veçantë në diskutime u vendos edhe në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian në kontekstin aktual gjeopolitik, ku u theksua se zgjerimi përfaqëson një investim strategjik për stabilitetin dhe sigurinë afatgjatë të rajonit dhe Evropës”, thuhet në njoftimin e MPJT.