Mucunski në Uashington me ftesë të Marko Rubios, diskutime për avancimin e bashkëpunimit ndërkombëtar

TË FUNDIT

Me ftesë të sekretarit amerikan të Shtetit, MarkO Rubio, ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, në Uashington mori pjesë në konferencën ministrore kushtuar kërcënimeve nga rritja e terrorizmit politik. Aty, përfaqësues të lartë nga më shumë se gjashtëdhjetë shtete diskutuan për avancimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përgatitjen institucionale për përballimin e formave bashkëkohore të dhunës dhe terrorizmit të motivuar politikisht.

“Kur dhuna përdoret për të heshtur fjalimin politik, për të frikësuar funksionarët e zgjedhur dhe qytetarët, për sulme ndaj organeve të ndjekjes ose për ndikim mbi proceset demokratike, atëherë më nuk bëhet fjalë për një mosmarrëveshje të zakonshme politike, por për dhunë të organizuar politike, ndërsa në format e saj më të rënda edhe për terrorizëm”, deklaroi Timço Mucunski – ministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë.

Duke iu referuar kontekstit rajonal, Mucunski theksoi se ky kërcënim ka një dimension serioz edhe për Ballkanin Perëndimor, si një rajon strategjikisht i ndjeshëm.

Rubio e hapi konferencën me vlerësime të gjera për këtë çështje, duke theksuar se SHBA-ja dhe pjesa më e madhe e botës gjatë dekadave të fundit kanë qenë të fokusuara vetëm te i ashtuquajturi terrorizëm islamik.

“Për një kohë shumë të gjatë, doktrina jonë për luftën kundër terrorizmit kishte një pikë të verbër – kur bëhet fjalë për dhunën ekstremiste që vjen nga e majta politike. Edhe sot, vetë ideja se terrorizmi i së majtës ekstreme mund të paraqesë një kërcënim serioz trajtohet si një mashtrim i së djathtës, ose edhe më keq, si një teori e rrezikshme fashiste konspirative. Kështu e shohin shumë njerëz në media, shumë në komunitetin akademik dhe universitete, si dhe shumë përfaqësues të institucioneve tona tradicionale”, u shpreh Marko Rubio – sekretar i shtetit i SHBA-së.

Ndryshe, në margjinat e konferencës, ministri Mucunski zhvilloi edhe një takim pune me ministrin e Punëve të Jashtme të Izraelit, Gideon Saar. Në takim u konfirmua bashkëpunimi dypalësh mes dy vendeve.