Komunikimi me vendet anëtare të Bashkimit Evropian, institucionet evropiane dhe me Bullgarinë është i vazhdueshëm, siguron Ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, por detajet e bisedimeve nuk bëhen publike me qëllim që të mos dëmtohet procesi, pasi negociatat publike nuk do të çonin drejt zgjidhjes së dëshiruar. “Ne nuk kemi alternativë tjetër përveçse të kërkojmë një zgjidhje” u shpreh Mucunski, por duke siguruar po ashtu se nuk do të bëjë asnjë lëshim lidhur me historinë dhe identitetin maqedonas.
“Mendoj se ekziston një impuls pozitiv për gjetjen e një zgjidhjeje, por ende nuk ka një zgjidhje që mund t’ia paraqesim publikut. Derisa të gjitha palët e përfshira në proces të bien dakord, bëhet fjalë vetëm për bisedime. Në këtë moment nuk do të doja të bëhesha vlerësues i asaj nëse jemi afër apo larg një zgjidhjeje”, tha Mucunski.
Mucunski tha se protokollet nuk janë pjesë e kornizës negociuese dhe se pajtohet plotësisht me qëndrimin e presidentes Gordana Siljanovska-Davkova, sipas të cilit në përmbajtjen e kornizës negociuese nuk ekziston asnjë dispozitë, as e shprehur dhe as e nënkuptuar, që lidhet me momentin e hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese.
“Qëndrimi im si ministër për punë të jashtme, është se protokollet… të përsërisim, ky është emri i procesverbaleve të bisedimeve… dikush ka vendosur që të quhen “protokolle”. Pse është bërë kjo, nuk dua të futem këtu… Sipas interpretimit tonë, nuk janë pjesë… sipas interpretimit tim, si ministër i punëve të jashtme por edhe si jurist, është se ato nuk janë pjesë e Kornizës Negociuese”, deklaroi Mucunski.
Ndaj kësaj reagoi ish-ministri i punëve të jashtme Bujar Osmani.
“Ka katër vjet që them se protokollet nuk janë pjesë e Kornizës Negociuese. Katër vjet kam duruar kritika, sulme dhe fyerje. Katër vjet kam vizatuar në tabela, kam shpjeguar dhe kam përsëritur. Një hap u kalua: Protokolli nuk është pjesë e Kornizës”, tha Osmani.
Sa u përket non-paper-eve që u shfaqën gjatë muajve të kaluar, Mucunski tha se në BE tashmë po zhvillohen debate intensive për politikën e zgjerimit, pasi sistemi aktual vlerësohet si një model i vjetërsuar që kërkon ndryshime serioze, veçanërisht pas agresionit rus ndaj Ukrainës, ngjarje që e vendosi zgjerimin ndër prioritetet kryesore të Bashkimit Evropian.
