Promovimi i trashëgimisë kulturore do të ndikonte në rritjen e turizmit dhe promovimit të kulturës së Kosovës. Kështu u tha në një konferencë me temë “Trashëgimia kulturore si atraksioni më i ri turistik-Ekoturizmi”, organizuar nga Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së në kuadër të fushatës për gjuhë, art dhe kulturë.
Dafina Zherka nga Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së, ka thënë se kjo qendër ka filluar një fushate dy mujore e cila është fokusuar në gjuhë, kulturë dhe art, me qëllim të promovimit të kulturës nëpërmjet turizmit.
“Promovimi i turizmit kulturor mund të gërshetojë elementet që përmbajnë trashëgimi kulturore, duke synuar që përmes turizmit të promovohet edhe kultura e Kosovës”, ka thënë Zherka.
Virtyt Gacaferi, gazetar dhe aktivist nga shoqëria civile që kohëve të fundit po merret edhe me promovimin e ekoturizmit, ka thënë se përparësi për një turizëm është vet mikpritja e shqiptarëve.
Më të vlefshmen që e kemi si Kosovë është oferta që dikush të jetë mysafir në vendin tonë ose mysafir në shtëpinë tonë dhe kjo është unike te shqiptarët
“Mysafiri në jetën e shqiptarit përfaqëson një kategori etike supreme më të rëndësishme se sa një person i gjakut“, ka thënë ai.
Udhëheqësi i divizionit të turizmit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Hysen Sogojeva ka thënë ai ata që janë të certifikuar për guida nga organizata të ndryshme do të licencohen gjatë këtij viti.
“Në qershor do të bëjmë përpjekje për të specifikuar ligjin sa i përket guidave dhe në momentin që kalon kjo pjesë të gjitha ata që janë të certifikuar nga organizatave tjera ne do t’i pranojmë, janë diku 61”, ka thënë ai.
Ndryshe, u tha se duhet të ketë angazhim më të shtuar në promovimin e turizmit.
