MPJ ruse ka reaguar ndaj rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë kundër raportit të Dik Martinit

TË FUNDIT

Ministria e Punëve të Jashtme ruse ka reaguar ndaj rezolutës kundër raportit të Dik Martinit që Kuvendi i Shqipërisë miratoi në datën  21 të  muajit të kaluar.

Ministria përmes një postimi në Tuiter njoftoi se nuk ndryshon qëndrim ndaj akuzave të ngritura dhe se personat e përfshirë në tregtinë me organe duhet të ndëshkohen ashpër.

“Kuvendi i Shqipërisë miratoi  rezolutën që kundërshton akuzat për tregti me organe në Kosovë dhe Shqipëri. Ne mbetemi të vendosur në qëndrimin tonë se personat e përfshirë në këto krime duhet të përballen me një dënim të ashpër dhe të drejtë”, thuhet në njoftim, raporton Ora njuz.

Sipas televizionit, raporti i vitit 2010, i përgatitur nga senatori i atëhershëm zviceran, Dik Marti, i miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, pretendon se drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë qenë të përfshirë në trafikimin e organeve në periudhën e vitit 1998. -1999.

Në seancën e 21 korrikut, kuvendi shqiptar me 125 vota “pro”, miratoi rezolutën “Për pabazueshmërinë e pretendimeve për tregti të paligjshme të organeve të njeriut në Kosovë dhe Shqipëri”.

“I bëjmë thirrje Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që të përgatisë një raport pasues, dhe në këtë mënyrë një rishikim të Rezolutës 1782 (2011), duke rivlerësuar akuzat për tregti të paligjshme të organeve njerëzore në Shqipëri dhe Kosovë, në dritën e zhvillimeve të ndodhura gjatë kësaj dekade, faktet, provat dhe informacionet e përditësuara, si dhe për sa i përket angazhimit, gatishmërisë dhe bashkëpunimit të plotë të Shqipërisë dhe Kosovës në shërbim të së vërtetës dhe vendosjes së drejtësisë”, thuhet ndër të tjera në rezolutë.