MPB MARRËVESHJE PA TENDER ME “LINK MEDIA PLUS”, KOMPANIA E PREFERUAR E PUSHTETIT DHE ISH-PUSHTETIT

TË FUNDIT

Ministria e Punëve të Brendshme me marrëveshje të drejtpërdrejtë ka lidhur kontratë me kompaninë “Link Media Plus” për blerjen e bluzave dhe rripave policorë për policët e rinj, publikoi Rrjeti hulumtues “Skup”. Marrëveshja ishte lidhur në prill të vitit të kaluar dhe ka të bëjë me blerjen e një mijë e dyqind rripave dhe bluzave në vlerë prej 80 mijë eurove. Rripat që kanë pasur edhe këllëf arme kushtojnë 66 mijë euro, që i bie nga 55 euro për copë, kurse 13 mijë euro janë për blerjen e bluzave polo me mëngë të shkurtra dhe jakë, respektivisht nga 10,5 euro për një copë. Por, edhe pse marrëveshjen e ka fituar kompania “Link Media Plus”, ajo në fakt paraqitet vetëm si ndërmjetësues, kurse për qepjen e bluzave e ka angazhuar kompaninë “Super Hit” nga Radovishi, kurse për përpunimin e rripave “Jugomlaz 1 SHPKNJ Borçe” nga Shkupi. Nga MPB-ja nuk u përgjigjën thirrjeve tona telefonike për t’i pyetur – se si kjo kompani, e cila nuk merret as me qepjen, e as me ndonjë prodhimtari tjetër, pa shpallje publike dhe me marrëveshje të drejtpërdrejtë e ka marrë këtë marrëveshje? Prej atje për “Skupin” u përgjigjën se bëhet fjalë për furnizim urgjent dhe se kontrata nuk është lidhur me marrëveshje të drejtpërdrejtë.

“Procedura për blerjen e uniformave për policët e rinj është zbatuar në pajtim me ligjin, duke negociuar, pa publikimin e shpalljes paraprakisht, për shkak të urgjencës së ngjarjeve që organi kompetent nuk mundej t’i parashikonte, andaj kjo nuk mund të konsiderohet si lëshim. Kontrata nuk është lidhur me marrëveshje të drejtpërdrejtë, por pas dorëzimit të ftesave 15 operatorëve ekonomikë, tre ofrues kanë dorëzuar ofertë për pjesën e blerjes së bluzave dhe dy ofrues për pjesën e rripave. Pas marrëveshjeve të zbatuara, e jo me marrëveshje të drejtpërdrejtë, është lidhur marrëveshje me ofruesin i cili ka ofruar çmim më të ulët”, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Përndryshe, kompania “Link Media Plus” është regjistruar si Shoqatë për prodhimtari, tregti dhe shërbime, ndërsa është njohur për nga angazhimet e saj për zbukurimin e disa komunave, siç është p.sh. Qyteti i Shkupit. Marrëveshja për zbukurimin e fundit, është lidhur me kryetarin Petre Shilegov në vlerë prej 260 mijë eurove dhe deri më tani ky është zbukurimi më i shtrenjtë për Vitin e Ri. Nga disa komuna të Shkupit dhe disa ministri, disa vite me radhë kjo kompani merr tenderë edhe për hortikulturë, ujitje, etiketa, pajisje të sportit, larje të makinave zyrtare të MPB-së dhe të policisë financiare, dhe shpeshherë paraqitet si ofrues i vetëm. Derisa ka qenë në opozitë, LSDM-ja e kritikonte këtë kompani se është kompania e preferuar e pushtetit të atëhershëm, por tani edhe LSDM-ja e vazhdoi bashkëpunimin me atë. Sipas të dhënave nga Byroja për Furnizime Publike, kompania “Link Media Plus” gjatë dy vjetëve të fundit ka bërë marrëveshje për punë në vlerë të përgjithshme prej rreth një milion eurove.

Përgatiti: Svetllana Unkovska