Ministria e Punëve të Brendshme është deklaruar në lidhje me zjarrin në Gostivar.
Njoftojnë se është denoncuar në ora 08:00, ndërkaq trupi i fëmijës së ndjerë tashmë është dërguar për obduksion.
“Sot, 16.03.2021 rreth orës 08:00 në SPB Tetovë është denoncuar se një banesë në rrugën “Bregu i Vardarit” në Gostivar është kapluar nga zjarri. Si pasojë e tij, lëndime ka pësuar 35-vjeçarja S.T. dhe fëmija i saj të cilët më pas janë dërguar në Spitalin e Përgjithshëm “Ferid Murad” për ndihmë mjekësore. Mjekët kanë konstatuar vdekjen e fëmijës, ndërkaq S.T. është lëshuar në shtëpi. Me intervenim të Njësitit territorial të kundërzjarrit, zjarri është lokalizuar në tërësi. Prokurori publik dhe ekipe të MPB-së dhe SPB Tetovë – Sektori për punë të brendshme Gostivar do të kryejnë ekspertizë në vendin e ngjarjes, ndërkaq me urdhër të prokurori publik trupi i fëmijës është dërguar për obduksion”, thuhet në njoftimin e MPB-së, transmeton TV21.
Ndërkaq, nga Prokuroria Publike paraprakisht kanë njoftuar, se fëmija në kohën e zjarrit i ka pasur këmbët e lidhura, ndërsa sipas familjes, shkaku është se fëmija ka qenë agresiv./TV21
