Sot moti do të jetë me diell dhe i ngrohtë, me vranësira të vogla deri mesatare lokale. Sipas Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike, do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtimi verior. Temperatura minimale do të lëvizë nga 0 deri në 9 gradë Celsius, ndërsa maksimalja do të arrijë nga 19 deri në 25 gradë.
Në Shkup moti do të jetë kryesisht me diell. Do të fryjë erë e dobët nga veriu. Temperatura minimale do të zbresë në 7 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë deri në 25 gradë.
Sipas njoftimeve nga DPHM në mes të javës do të mbajë mot stabil dhe relativisht i ngrohtë. Do të fryjë erë nga veriperëndimi, e cila do të jetë më e theksuar të mërkurën, kur pritet të forcohet deri në erë të fortë dhe përgjatë luginës së Vardarit mund të arrijë shpejtësi mbi 70 km/h.
Të mërkurën moti do të jetë me vranësira të ndryshueshme dhe me kushte për reshje të shkurtra lokale shiu në pjesët perëndimore. Të enjten do të mbajë mot me vranësira të ndryshueshme, ndërsa në dy ditët në vijim pritet mot me vranësira dhe reshje lokale shiu, më të dendura të shtunën. Nga e premtja, era do të ndryshojë drejtimin në juglindje.
