“Mosvotimi i ligjit të propozuar nga Qeveria, shenjë e koalicionit jostabil”

TË FUNDIT

Shumica e deputetëve sot votuan kundër Ligjit për amnisti, të propozuar nga ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, i cili paralajmëroi se do ta ridorëzojë sërish në Kuvend.

Për profesorin Aleksandar Spasenovski, ky mosvotim i Ligjit për amnisti, të propozuar nga Qeveria, është shenjë se koalicioni qeveritar është jostabil.

Ai në ClickPlus në TV21 tha se qëndrimet e këtilla kundërthënëse janë dëshmi se ka jostabilitet, por se nuk është aq tmerrshëm sepse vjen para mbarimit të mandatit të kësaj Qeverie.

“Kur kemi situata si sot, kur propozim ligji i Qeverisë nuk votohet në Kuvend, tregon se ekziston jostabilitet dhe heterogjenitet në qëndrimet politike nga pushteti politik. Ky është indikator se njëshmëria në qëndrime është shkatërruar, dhe kjo do të mund të ishte lëndë e një debati më të madh dhe do të paraqiste problem më të madh nëse do të bëhej fjalë për fillimin e mandatit të Qeverisë. Por, meqë bëhet fjalë për mbarim, kjo do të interpretohet si zënien e pozicioneve për zgjedhje”, tha Spasenovski.