Moska nis sërish bombardimet pas armëpushimit

TË FUNDIT

Moska i ka dhënë fund armëpushimit që u vendos për të rrespektuar Krishtlindjet Ortodokse në Ukrainë dhe Rusi.

Ushtria ruse ka bombarduar sërish pjesën lindore të Ukrainës duke vrarë një person dhe duke synuar infrastrukturën energjitike. Dy termocentrale u dëmtuan nga bombardimet në pjesët e kontrolluara nga Rusia të rajonit Donetsk të vendit ku disa persona u plagosën, ndërsa një grua humbi jetën.

Në Luhansk u zhvilluan gjithashtu luftime të ashpra në rajon dhe forcat ruse kishin vendosur njësitë e tyre më të gatshme luftarake dhe pajisjet e rënda në qytetin e Kriminna-s që ata pushtuan. Ushtria e Ukrainës bëri të ditur se dy u vranë dhe 13 u plagosën në bombardimet ruse në Bakhmut , në Ukrainën lindore.

Ende mbetet e paqartë sesi do të zhvillohet beteja për shkak edhe të temperaturave të ulëta deri në -15 gradë Celsius. Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy ka bërë të ditur se Rusia po planifikon një ofensivë të re të madhe. Pentagoni tha se qëllimi i Putinit për të kapur territorin ukrainas nuk ka ndryshuar, edhe nëse ushtria e tij vazhdon të pësojë goditje.

Inteligjenca ushtarake e Ukrainës ka pohuar se Rusia do të urdhërojë mobilizimin e deri në 500,000 rekrutëve në Janar, përveç 300,000 që thirri në Tetorin e kaluar, në një tjetër shenjë të dukshme se Vladimir Putin nuk ka ndërmend t’i japë fund luftës.

“The Guardian” shkruan se rekrutët do të marrin pjesë në ofensivën e re, e cila parashikohet të jetë në pranverë dhe në verë në lindje dhe jug të vendit. Rusia ka mohuar se po përgatit një valë të dytë mobilizimi, me Putinin që tha muajin e kaluar se një gjë e tillë ishte “e pakuptimtë”.

Ka pasur shqetësime në rritje se Bjellorusia, një mbështetëse e vendosur e Moskës mund të përdoret si një stacion për të sulmuar Ukrainën nga veriu pas rritjes së aktivitetit ushtarak në vend dhe transferimit të ri të trupave ruse atje. Rreth 1,400-1,600 trupa ruse mbërritën nga Rusia në qytetin verilindor të Vitebsk në Bjellorusi gjatë dy ditëve të fundit.