“MOS I MBRONI KRIMINELËT”, PROTESTA NË TETOVË, POLICIA PENGOI ARRITJEN NË SELINË E BDI-së

TË FUNDIT

Këto ishin vetëm disa nga fjalët të cilat u dëgjuan sot në rrugët e Tetovës nga protestuesit të udhëhequr nga vëllai i “El Chekës”, Blerim Ahmedi. Pikësynimi i tyre ishte selia e BDI-së në Reçicë të Vogël në të cilën nuk arritën për shkak të bllokimit të rrugës nga kordoni policor.

Blerim Ahmedi, vëllau i “El Chekës” që udhëhoqi protestat tha se bllokimi është treguesi më i mirë se jetojmë në vend komunist.

“Këtë protestë e nisëm në Tetovë, për arsye se në këtë vend qëndron objekti i partisë së BDI-së, nga ku jepen edhe urdhra, për vrasje, burgosje, raste të montuara dhe shumë e shumë plane tjera kundër të drejtave të shqiptarëve të Iliridës. Kohëve të fundit, dëgjojmë edhe video-inçizime, në të cilat dëgjohen zërat e liderit të partisë të BDI-së, me kolegët e tij partiak , që tallin, fyejnë dhe shajnë nëmënyrën më barbare popullin shqiptar”, deklaroi Blerim Ahmedi.

Në protestën e sotme kishte edhe protestues nga Shqipëria. Engjull Gishti, kryetar i Lëvizjes Atdheu, tha se zhvillimin e shqiptarëve të Maqedonisë e pengon nëntoka e politikanëve të korruptuar.

“Ky fakt tregon qartë se ka diçka. Nëntokë e cila e pengon zhvillimin e këtij populli. Ajo nëntokë, është blerja e figurave të korruptuara shqiptare, nga shërbimet anti-shqiptare, dhe nëpërmjet atyre krijimi i përçarjes në kombin shqiptar. Këto parti politike, janë ndërtuar dhe sillen në mënyrë mafioze. Këto janë organizata mafioze që i kanë vënë emrin vetes parti politike, në mënyrë që juridikisht të veprojnë, shkatërrojnë, interesat e kombit shqiptar, kudo ku ai gjendet. Çështë më e keqja, t’i vënë shqiptarët në luftë më njëri-tjetrin”, theksoi Engjull Gishti nga Lëvizja Atëdheu, Shqipëri.

E përderisa protestuesit u bllokuan në gjysmë rruge, me sigurim dhe pa asnjë problem, në selinë e Bashkimit Demokratik për Integrim, në Reçicë, arriti lideri i kësaj partie, Ali Ahmeti.  Ndryshe kjo protestë është vetëm fillimi, thonë organizatorët. Vëllai i “El Chekës”, Blerim Ahmedi ka paralajmëruar edhe protesta të tjera ditëve në vijim. Protesta e ditës së sotme lindi pas numrit të madh të audio-përgjimeve që Sheqerim Ahmedi,”El Cheka” i ka publikuar në rrjete sociale në të cilën dëgjohen zërat e Ali Ahmetit, Blerim Bexhetit, Sadulla Durakut dhe funksionarëve të tjerë të BDI-së.

Përgatiti: Mevludin Imeri