Gazeta italiane “La Verita”, sot publikoi dy letra nga ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, që ishin adresuar deri te kompania kineze “Sinofarm”. Letrat në fjalë, sipas gazetës, kanë shkuar përmes kompanisë “Starbi Interneshënall” në Hong Kong, kompani kjo e cila nuk ka portofol as mjekësor, e as farmaceutik.
LETRA NGA 25 DHJETORI I VITIT DERI TE “SINOFARM-i” NGA KINA
“Duam ta shprehim interesin tonë për vaksinën Tuaj kundër koronavirusit. E autorizojmë servisin “Starbi Interneshënall” që t’i koordinojë procedurat e nevojshme.
Në letrën e dytë nga janari i këtij viti, e cila sipas gazetës është më e kontestueshme, Filipçe e liron kompaninë, respektivisht Kinën nga çdo përgjegjësi ose pasoja të mundshme negative nga përdorimi i vaksinës. Ministri i Shëndetësisë i hedh poshtë akuzat për parregullsi gjatë furnizimit të vaksinave nga Kina.
“Nuk bëhet fjalë për manipulime, vetëm i ndjekim udhëzimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës. Nëse nuk do të kishim besim ose nëse do të kishte hapësirë për manipulime, sigurisht se do të kishim edhe dëm financiar”, theksoi Venko Filipçe – Ministër i Shëndetësisë.
Në pyetjen – a kanë qenë relevante kompanitë me të cilat kanë bashkëpunuar, Filipçe me përgjigje:
“Kuptohet se bëhet fjalë për kompani të cilat na kanë siguruar se vaksinat mund të mbërrijnë. Dhe ne arritëm deri te vaksinat, por ky ishte mesazhi i MPJ-së kineze dhe ne e respektuam atë – se duhet të shkojmë përmes rrugës të cilën e sugjerojnë ata. Në këtë drejtim, nuk ka asgjë të dyshimtë”, shtoi Filipçe.
Ndryshe, Komisioni Anti-korrupsion në takimin e sotëm mori vendim për hapje të një procedure për grumbullim të të dhënave dhe informacione, me qëllim që të vërtetojnë se cilat janë mundësitë e tyre për veprim në rastin me furnizimin e vaksinave nga prodhuesi kinez “Sinofarm”. Kryetarja e Komisionit, Biljana Ivanovska, e thirri edhe Prokurorinë Publike Themelore që të kyçet në këtë proces.
Ende nuk dihet kur do të mbërrijnë 200.000 dozat e vaksinës kineze. Filipçe thotë se presin njoftim nga MPJ-ja kineze.
