Mëngjesin e të enjtes, një azilkërkues telefonoi në një emision të njohur televiziv në Shqipëri.
Bëri një pyetje, që për moderatorin ngjau shumë naive.
“Pse nuk kujdeset qeveria shqiptare për ne që jemi azilkërkues në Gjermani dhe që po na trajtojnë keq”.
Moderatori shqiptar iu përgjigj ashpër se Gjermania ka rregullat e saj dhe ato duhen zbatuar.
I ndjerë në faj, azilkërkuesi u largua.
Por a duhet të kërkojnë ndihmën e qeverisë shqiptare këta azilkërkues? A janë fajtorë ata? Kush po kujtohet për ta, ndërsa edhe media i cilëson si fajtorë dhe shkelës? A nuk kanë qenë të paligjshme të gjitha dallgët e emigracionit? Pse nuk po preket askush nga kjo dramë që ka pushtuar dhjetëra mijëra shqiptarë?
Por nëse doni të dini se çfarë ndodh në Gjermani, shihni këtë rast.
Një nga moderatorët më të njohur televiziv, prezantuesi 59-vjeçar i ZDF, Claus Kleber, ndërsa jepte lajmet mbrëme, nuk i mbante dot lotët.
Shumë shikues u prekën po ashtu.
Moderatori i “heute journal” po rrëfente historinë e një shoferi autobusi, të quajtur Sven Latteyer.
Ai i përshëndeti 15 emigrantët në autobusin e tij me mikrofon, duke u folur në anglisht: “Kam një lajm të rëndësishëm për ju njerëz nga mbarë bota në këtë autobus. Mirëseerdhët në Gjermani, mirëseerdhët në vendin tim. Ia kalofshi mirë”.
Por kush është Sven Latteyer?
Ai është 42 vjeç dhe thotë se respektin për emigrantët ia ka mësuar kunati i tij nga Kosova, që tani jeton në Gjermani.
