Mjerim në kryeqytetin e Hungarisë

TË FUNDIT

Policia hungareze ka mbajtur të mbyllur hyrjen në stacionin e trenit Keleti, në Budapest për rreth 3 mijë refugjatë, të cilët me trena po tentojnë të udhëtojnë drejtë shteteve tjera të Evropës Perëndimore.
Shumë prej tyre kaluan natën nën qiell të hapur para hyrjes në stacionin e trenit. Një grup i qytetarëve po ndihmon policinë që të ruaj rendin, ndërsa vullnetarët po tentojnë të sigurojnë për refugjatët ushqim, veshmbathje dhe ndihmë mjekësore.
Komiteti i Helsinkit në Hungari më herët tërhoqi vërejtjen se situata është tejet e tendosur dhe e paparashikueshme.
Refugjatët e hidhëruar po kërkojnë hapjen e stacionit Keleti dhe që atyre t’iu mundësohet udhëtimi drejtë Gjermanisë.
Zëdhënësi i Qeverisë së Hungarisë, Zoltan Kovaç, i pyetur se pse është mbyllur stacioni në Budapest, u përgjigj se Hungaria po tenton të zbatojë ligjet e Bashkimit Evropian, sipas të cilave të gjithë ata që dëshirojnë të udhëtojnë drejtë Evropës duhet të kenë dokumente të vlefshme udhëtimi dhe viza Shengen.
Policia hungareze njoftoi se pjesëtarët e saj po zbatojnë urdhrat në përputhje me rregullat e kodeksit të Shengenit.
Pjesën më të madhe të refugjatëve të ngujuar në Budapest e përbëjnë sirianët, të cilët dëshirojnë të udhëtojnë drejtë Austrisë dhe Gjermanisë pa dokumentacion të vlefshëm./21Media