Mjekimi privat për Covid-19 do të kushtojë deri në 5 mijë euro, Filipçe ende nuk vaksinohet, e pret dërgesën e madhe vaksinash

TË FUNDIT

Në qoftë se një qytetar vendos të trajtohet në ndonjë nga institucionet shëndetësore private për mjekim të Kovidit, ai do të paguajë 300 mijë denarë ose 5 mijë euro, e jo sikur tani kur pacientët për këto shërbime paguajnë edhe nga 12.000 euro. Këtë sot e deklaroi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe. Ligji për Mbrojtje Shëndetësore me të cilin do të kufizohet çmimi për mjekim në spitalet private, kaloi në seancën qeveritare dhe është dërguar në Kuvend. Filipçe pret që ligjin ta mbështesin të gjitha partitë politike.


“Nëse procesi i mjekimit është kompleks dhe zgjat më shumë kohë, shumën maksimale të cilën do ta paguajë qytetari është 300 mijë denarë.
Pa marrë parasysh nëse ka vend në spitalet shtetërore?
Bëhet fjalë për një shumë të cilën pacientët e paguajnë në klinikat private ku kanë shkuar me vullnet të tyre për t’u trajtuar, siç po e bëjnë edhe tani, kurse paguajmë shuma të majme parash. Nëse ne si shtet duhet t’i shfrytëzojmë resurset e spitaleve private, atëherë për këto resurse qytetarët nuk do të paguajnë asnjë kompensim ndaj spitaleve private”, tha Venko Filipçe – Ministër i Shëndetësisë.  

Ndryshe, më 19 dhe 26 prill në vend do të mbërrijnë nga 10 mijë doza të vaksinës “Fajzer”. Bëhet fjalë për vaksina kundër Covid-19 të furnizuara përmes një marrëveshjeje të drejtpërdrejt me këtë kompani. E pyetëm ministrin – a do të vaksinohet në mënyrë që t’i nxisë edhe qytetarët, e ai me përgjigje: 


“Nuk do të doja ta zë vendin dhe rendin e ndonjë qytetari i cili është në rrezik më të madh se unë. Ka punëtorë shëndetësorë të cilët punojmë me pacientë etj…. Do ta pranoj vaksinën kur do të kemi sasi më të madhe.
Me cilën vaksinë?
Në të vërtetë nuk kam asnjë preferencë, të gjitha vaksinat janë të sigurta”, shtoi Filipçe. 

Deri më tani në ueb-faqen për vaksinim janë paraqitur mbi 150 mijë qytetarë, kurse prej tyre janë vaksinuar rreth 30 mijë. Ministri pret që me ardhjen e vaksinave, edhe interesi për imunizim të rritet.