Për një javë 192 persona kanë ndërruar jetë nga Kovid 19 në vend. Vetëm dje kanë ndërruar jetë 41 persona. Kjo bën që Maqedonia e Veriut të jetë njëra prej vendeve me vdekshmëri më të madhe në Evropë. E pse ndodh kjo dhe cilat janë shkaqet pyetëm mjekun Zllate Mehmedoviq. Ai thotë se shkaku më i madh për numrin e madh të vdekjeve është se mjekët nuk punojnë me protokoll të unifikuar për shërimin e pacientëve të infektuar me Kovid 19. Ai propozon që protokolli ose udhëzuesi për shërim të Kovid 19 të sillet me ligj dhe të shpallet në gazetën zyrtare.
“Nuk ka protokoll të unifikuar që duhet të kenë mjekët amë që të dinë, kur dhe çfarë pacienti duhet të marrë. Kur saktë duhet ta dërgojnë pacientin në spital. Jo vetëm që duhet ky protokoll të jetë i unifikuar, ky protokoll duhet të bëhet si një ligj, të publikohet në gazetë zyrtare që të jetë i shkruar si protokoll dhe udhëzim se si duhet të trajtohen pacientët me Kovid 19. Ky protokoll duhet të jetë i nënshkruar nga ministri dhe të shfrytëzohet për mjekim”, tha mjeku Zllate Mehmedoviq.
Ndërkaq autoritetet shëndetësore fajin ia lënë pacientëve pasi sic thonë ata shumë vonë drejtohen në spitale dhe gjendja e tyre përkeqësohet. Ndryshe vaksina kundër virusit është e vetmja zgjidhje për ulje të numrit të vdekjeve, thotë Mehmedoviq. Ai konsideron se qytetarët të cilët nuk kanë zhvilluar imunitet pas dy dozave të vaksinës duhet të marrin edhe dozën e tretë të vaksinës kundër Kovid 19.
“Ato njerëz që kanë çrregullime në sistemin imunologjik që nuk do të zhvillojë imunitet të mirë pas pranimit të dy dozave, ata do të mund të marrin dozën e tretë të vaksinës. Por ata njerëz të cilët kanë pranuar dy doza të vaksinave nuk kanë nevojë të marrin edhe dozën e tretë të vaksinës pasi që nuk ka logjikë epidemiologjike e as mjekësore”, shtoi mjeku Zllate Mehmedoviq.
Ndryshe për dallim nga javët e mëparshme, këtë javë numri i infektimeve në nivel botëror ka shënuar ulje me 8 %, fatmirësisht edhe i rasteve fatale është ulur me 3 %. Disa shtete kanë shënuar ulje në infektime dhe fatalitete, por që disa të tjerë kanë shënuar rritje të tyre. Në Botë gjithsej ka mbi 4 milion të vdekur nga Kovid 19 ndërsa janë vaksinuar mbi 5 miliardë persona.
