Fermerët të cilët tash e një javë po promovojnë mjedrat e freskëta vendore, në sheshin e Prishtinës, mendojnë se një panair i tillë duhet të mbahet në të gjitha qytetet e mëdha të Kosovës, e jo vetëm në Prishtinë.
Duke vlerësuar se ky sektor bujqësor është një kulturë mjaftë fitimprurëse për tregun kosovarë, ata thonë se duhet të kenë një përkrahje më të madhe nga institucionet përgjegjëse, dhe panaire të tilla të organizohen nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe zhvillimit Rural, e jo vetëm nga organizatat ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë.
Fermerët janë të kënaqur me shitjen gjatë panairit. E për mos-shitje më të madhe, arsyetohen me krizën ekonomike në të cilën gjenden qytetarët e Kosovës.
Ani pse panairi filloi pas gjysmës së muajit, interesimi i qytetarëve për të blerë mjedra nuk mungoj.
Kamera e KosovaPress-it ka qëndruar gjatë mesditës së sotme në sheshin “Nënë Tereza”, ku edhe janë të vendosura tendat e fermerëve që po promovojnë prodhimet e tyre, dhe është parë një numër mjaftë i madh i konsumatorëve duke blerë prodhimet vendore, të sapo vjelura.
Fermeri nga Gjakova, Halil Rrustemi, thotë se është i kënaqur me javën e panairit të mjedrës. Veçse, sipas tij, nëse do të ishte në fillim të muajit, kur edhe qytetarët i marrin të ardhurat mujore, do të kishte shit-blerje më shumë.
Rrustemi mendon se panaire të tilla duhet të ketë në të gjitha qytetet e mëdha të Kosovës, e jo vetëm në kryeqytet.
Por, fermeri Lush Krasniqi nga Gjakova, duke bërë krahasim me vitet e kaluara, thotë se sivjet shitja është më e dobët.
Ndërsa, fermeri Ekrem Rrahmani tregon se për 250 gram mjedër, çmimi gjatë panairit ka qenë 1 euro.
Rrahmani thotë se gjatë kësaj jave pati një interesim mjaftë të madh të qytetarëve. Megjithatë, shpreson që kultura e kësaj prodhimtarie të rritet edhe më shumë.
Fermerët që po marrin pjesën në panairin e mjedrës të organizuar nga USAID e të përkrahur nga MBPZhR, këtë panair e vlerësojnë si shumë të rëndësishëm. Sipas tyre, kështu i nxjerrët vlera mallit dhe njerëzit shijojnë prodhimet vendorë në qendër të Prishtinës.
Sipërfaqet me mjedër në Kosovë, në vitin 2013 ishin rreth 23 hektarë dhe prodhimtaria ishte rreth 150 ton. Në vitin 2014, sipërfaqet me mjedër u rritën në 130 me prodhimtari vjetore deri në 580 ton.
Këtë vit, për herë të parë kultivuesit e mjedrës kanë marrë subvencione, nga 400 euro për hektarë.
Panairi i Mjedrës që Prishtinë u hap me 18 gusht dhe përfundon sot.
