Një komunikim në rrjetin social Facebook në mes të rinjve shqiptarë dhe serbë, u bë shkak i arrestimit të 6 personave mbrëmë, nga ana e Policisë së Kosovës. Biseda e tyre linte të kuptohej se po planifikonin të rriheshin tek ura kryesore e Ibrit në Mitrovicë.
Zëvendës drejtori i Drejtorisë në Policinë e Kosovës për rajonin e veriut, Besim Hoti, ka konfirmuar lajmin duke shtuar se bëhej fjalë për adoleshentë “Policia e Kosovës dje rreth mesditës ka regjistruar një incident të prishjes së rendit dhe qetësisë publike dhe të përfshirjes në rrahje të dy grupeve. Ndjesia e saj qëndron në faktin se të dy grupet të përkatësisë shqiptare dhe serbe janë adoleshentë, përkatësisht persona të mitur nga mosha 14-16 vjeçare, dhe kjo ka obliguar njësitë policore të cilat në preventivë kanë reaguar me qëllim të parandalimit të një ekcesi më të madh, por gjithsesi edhe me ndihmën e qytetarëve të ndërgjegjshëm të cilët kanë dalë në ndihmë policisë më qëllim që t’i ndajnë të dy grupet në një përfshirje më agresive të rrahjes”, ka thënë Hoti.
Sipas tij, Policia e Kosovës ka arrestuar gjashtë persona shqiptarë dhe serbë, të gjithë të moshës së mitur, dhe ndaj tyre janë iniciuar procedurat.
Hoti ka apeluar tek të gjithë, në radhë të parë tek prindërit, që të përcjellin porositë tek fëmijët e tyre, dhe të kenë vëmendje e kujdes më të madh për të ndikuar tek ta, veçanërisht kur bëhet fjalë për persona të mitur, të cilët kanë ambicie për t’u përfshirë në rrahje dhe për të shkaktuar incidente të tilla./21MEDIA
