Koalicioni i deritashëm AKR – LDK në komunën e Mitrovicës është duke numëruar ditët e fundit, ndërsa ekspertë të fushave të caktuara nga parti të ndryshme politike do ta përbëjnë pushtetin e ri në këtë komunë.
Burime të KosovaPress-it bëjnë të ditur se edhe PDK-ja në Mitrovicë do të jetë pjesë e pushtetit të ardhshëm, e cila do ta ketë nënkryetarin e saj, si dhe do të udhëheqë katër drejtori, të inspekcionit, Arsimit, Shëndetësisë dhe Drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
“Gjatë takimit të mbrëmshëm me Agim Bahtirin është arritur një marrëveshje për një pushtet të ri në Mitrovicë, ku veç tjerash do të përfshihet edhe LDK-ja, por jo me drejtorët e deritashëm, për shkak të performancës së tyre të deritashme të dobët, ndërsa e gjithë kjo marrëveshje do të kurorëzohet më së largu deri të premten”, ka thënë një burim i Kosovapress-it brenda këtij takimi.
KosovaPress-i ka kontaktuar kryetarin e komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, por ai përveç se ka thënë “se deri tani nuk ka asgjë të re”, nuk ka dhënë detaje shtesë.
Agjencia jonë ka provuar p o ashtu të kontaktojë edhe me përfaqësuesit e LDK-së dhe të tjerëve rreth kësaj çështje, por pa sukses.
