Miratohet projektligji për persona me nevoja të veçanta

TË FUNDIT

Qeveria e Republikës së Kosovës, nën udhëheqjen e kryeministrit Isa Mustafa, mbajti mbledhjen e rregullt, të 45-tën me radhë.

Pika e parë që u aprovua ishte Projektligji për Statusin dhe të drejtat e personave Paraplegjik dhe Tetraplegjik. Me këtë Projektligj rregullohet statusi dhe të drejtat e personave të cilët për shkak të sëmundjeve apo dëmtimit kanë humbur përherë mundësinë e zhvendosjes dhe të lëvizjes së ekstremiteteve të poshtme apo të personave që për shkak të sëmundjeve apo dëmtimit kanë humbur përherë mundësinë e zhvendosjes apo lëvizjes së ekstremiteteve të sipërme dhe të poshtme.

Përfituesit nga ky projektligj mbrohen nga të gjitha llojet e abuzimit dhe të diskriminimit, fyerjes dhe gëzojnë të drejtat dhe liritë e tyre në mënyrë të barabartë me të tjerët bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi, standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut të njohura nga Konventa Ndërkombëtare për të drejtat e njeriut me theks të veçantë në standardet dhe parimet e përcaktuara me konventat ndërkombëtare për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara.

Qeveria e Kosovës mori vendim për themelimin e Këshillit Kombëtar për Ndryshime Klimatike. Këshilli ka përgjegjësinë e përcjelljes së zbatimit të dokumenteve strategjike dhe planeve të veprimit për ndryshimet klimatike në përputhje me angazhimet e Konventës Kornizë për Ndryshimet Klimatike të Kombeve të Bashkuara dhe Protokollit të Kijotos.