Miratohet projektligji, Italia ndalon mishin e kultivuar

TË FUNDIT

Presidenti i Republikës së Italisë, Sergio Mattarella, miratoi këtë të premte projektligjin i cili vendos ndalimin e prodhimit dhe vendosjes në treg të ” mishit të kafshëve të përbërë, të izoluar ose të prodhuar nga kultura qelizore ose inde që rrjedhin nga kafshët vertebrore, si dhe ndalimi i emrit mish për produktet e përpunuara që përmbajnë proteina bimore”.

Siç u publikua nga agjencia e lajmeve ANSA, qeveria italiane e përcolli masën “shoqëruar me një letër që informonte Komisionin Europian se projektligji ishte njoftuar dhe me angazhimin për të respektuar çdo vëzhgim të bërë nga Komisioni në kuadër të procesit të njoftimit”.

Qëndrimi i qeverisë italiane ndaj mishit të kultivuar është i njohur prej disa kohësh. Tashmë në muajin mars, ministri i Bujqësisë dhe Sovranitetit Ushqimor, Francesco Lollobridgeta, kishte folur për “jo mishit sintetik si pasojë e kërkesave të fermerëve, rajoneve dhe bashkive”, ndërsa vetëm pak javë më parë kishte theksuar se “’mishrat’ e prodhuar në laborator, rrezikojnë të minojnë kulturën, identitetin dhe qytetërimin italian”.

Një qëndrim, ai i qeverisë italiane, i cili mori kritika të ashpra nga opozita, e cila përmendi “rrezikun e procedurës së shkeljes” dhe “propagandën e pastër”, por edhe nga shkencëtarët, pasi “mund të ketë një ndikim negativ në kërkimin dhe inovacionin në Italia”.

Kjo në Itali, ndërkohë që Holanda ka miratuar tashmë kultivimin e mishit që nga korriku dhe Bashkimi Evropian po shtyn për kërkime dhe prodhim laboratorik për të arritur sigurinë globale të ushqimit.