Kuvendi miratoi ndryshimet në Ligjin për Lizing Financiar, me të cilat vendosen transparencë më e madhe, mbrojtje më e fuqishme e përdoruesve dhe mbikëqyrje më efikase, të harmonizuara me standardet evropiane, përcjell TV21. Ndryshimet e reja parashikojnë kontrata më të qarta, mundësi për shlyerje të parakohshme pa shpenzime shtesë dhe standarde më të larta për funksionimin e kompanive të lizingut.
Ofruesit e lizingut financiar do të jenë të detyruar t’i publikojnë raportet vjetore financiare, ndërsa kapitali minimal themelor rritet nga 6 në 30 milionë denarë. Me këto ndryshime zbatohen edhe rekomandimet për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Siç thonë nga Ministria e Financave, rregullat e reja sjellin kontroll më të madh mbi punën e kompanive të lizingut dhe standarde më të larta për mbrojtjen e përdoruesve.
