Nga Ministria e Drejtësisë kanë reaguar në lidhje me raportimet se ish-kryeministri Nikolla Gruevski posedon shtetësi hungareze, përcjell TV21. Nga Ministria e Drejtësisë thonë se pavarësisht kësaj, Gruevski mbetet shtetas i Maqedonisë së Veriut, që kërkohet nga organet e rendit.
“Ministria e Drejtësisë po i ndjek me kujdes informacionet e publikuara në opinion lidhur me pretendimet se Nikolla Gruevski ka marrë shtetësi hungareze. Pavarësisht të gjitha spekulimeve dhe informacioneve jozyrtare për statusin e tij eventual në Hungari, Nikolla Gruevski mbetet shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe person ndaj të cilit ekzistojnë vendime gjyqësore të formës së prerë dhe procedura aktive”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.
Ministria e Drejtësisë thekson se procedura për ekstradimin e tij vazhdon në përputhje me legjislacionin vendor, marrëveshjet bilaterale dhe konventat ndërkombëtare. Në kuadër të kompetencave të saj, Ministria do të vazhdojë të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm juridikë dhe diplomatikë në komunikim me organet kompetente të Hungarisë.
