Ministria e Diasporës sot mban konferencën e parë të rrjeteve të studentëve dhe të rinjve nga diaspora.
“Fuqizimi i të rinjve dhe studentëve të diasporës, në veçanti studentëve, është prioritet i qeverisë së Kosovës. Bashkëpunimi me profesionistë të lëmive të ndryshme, shkëmbimi i përvojave dhe transferi i dijes është identifikuar si më se i nevojshëm në ngritjen e mëtejme të kapaciteteve politike, ekonomike, sociale dhe shkencore në Kosovë”, thuhet në një komunikatë për media të Ministrisë.
Sipas këtij njoftimi deri tani Ministria e Diasporës ka iniciuar themelimin e rrjeteve/asociacioneve të studentëve dhe të rinjve në diasporë. Qëllimi i tyre është që të arrihet bashkëpunim më i ngushtë mes organizatave studentore dhe rinore në diasporë me institucionet dhe organizatat e tjera në Kosovë, e po ashtu edhe rritja e prezencës institucionale në mesin e të rinjve në diasporë duke nxitur angazhimin e kësaj shtresë të shoqërisë në të gjitha çështjet nacionale.
“Ministria e Diasporës me këtë rast organizon konferencën e parë me rrjetet e studentëve dhe të rinjve në diasporë, ku mes të tjerash do të themelohet edhe unioni i të rinjve ndërsa diskutimi me krerët e institucioneve të Kosovës do të zhvillohet në temat e lartcekura”, thuhet në njoftim.
Në këtë konferencë marrin pjesë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, Ministri i Diasporës, Valon Murati, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami dhe po ashtu, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë, Blendi Klosi.
