Ministri Osmani për vizitë në Itali

TË FUNDIT

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani nga dita e nesërme do të jetë në vizitë pune në Republikën e Italisë dhe Selinë e Shenjtë.

Në kuadër të vizitës në Itali, Osmani do të realizojë takim me nikoqirin e tij, Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtarë të Republikës së Italisë, Luigi Di Maio, ndërsa në agjendë është paraparë edhe takim me anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme pranë Dhomës së Poshtme në Kuvend, të udhëhequr nga kryetari i Komisionit Fiero Fassino.

Në takime pritet të hapen çështjet e hapura të lidhura me raportet bilaterale, e ardhmja e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian, dhe në këtë kontekst, mbështetja nga ana e Italisë për fillimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut. Përveç relacioneve politike mes dy vendeve, në takim do të përfshihet thellimi i marrëdhënieve ekonomike, si dhe bashkëpunimi sektorial në segmentet tjera.

Të njëjtën ditë, Osmani do të vizitojë edhe Selinë e Shenjtë ku do të ketë takim me Sekretarin e Vatikanit për Marrëdhënie me Shtetet, imzot Paul Richard Gallagher. Përskaj mundësive për avancimin e bashkëpunimit mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Selisë së Shenjtë në fushat e interesit të ndërsjellë, do të bisedohet edhe për tema të bazuara në lidhje historike të rëndësishme, vlera kulturore që ndajmë dhe tradita shpirtërore të përbashkëta.

Në kuadër të vizitës së Republikës së Italisë, Osmani do të takohet edhe me përfaqësuestë të shoqatave të diasporës sonë, aktive në Itali, me të cilët do të shkëmbejë informacione për tema që u interesojnë atyre, nevoja të tyre, por edhe ide. Në fokusin e këtyre takimeve do të jetë edhe Regjistrimi i shtetasve tanë të cilët jetojnë jashtë vendit dhe mënyrat për mobilizimin e një pjese të madhe të diasporës në këtë proces.