Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Republikë së Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar ministrin e Jashtëm të Holandës, Bert Koenders, me të cilin bisedoi për zhvillimet në Kosovë dhe në rajon si dhe shqyrtuan mundësitë për thellim të bashkëpunimit në mes të dy vendeve.
Thaçi, u shpreh se Kosova, tani e konsoliduar brenda dhe së jashtmi, është kthyer në faktor të paqes dhe bashkëpunimit në rajon.
“I tërë rajoni është kthyer nga e ardhmja euro-atlantike, zhvillimi dhe bashkëpunimi. Në këto momente kthese për rajonin është shumë e rëndësishme që BE-ja të mbetet e përkushtuar ndaj së ardhmes evropiane të tërë rajonit”, u shpreh zëvendëskryeministri Thaçi.
Për stabilitet afatgjatë të rajonit kërkohet zhvillim i qëndrueshëm ekonomik dhe për këtë mbështetja e BE-së dhe e vendeve të saj, edhe përmes përvojës së tyre, janë shumë të rëndësishme për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, u tha në këtë takim.
Zëvendëskryeministri Thaçi po qëndron në Hagë të Holandës, ku po merr pjesë në konferencën për Sigurinë në Hapësirën Kibernetike.
