Ministri i jashtëm iranian për çmimet e naftës: Nuk është faji ynë, nuk e kemi mbyllur Ngushticën e Hormuzit

TË FUNDIT

Teherani ka bërë me dije se është i gatshëm të vazhdojë sulmet për aq kohë sa të jetë e nevojshme, duke theksuar se negociatat me Uashingtonin nuk janë më në axhendë.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, iu përgjigj deklaratës së presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka vlerësuar më herët se “lufta do të përfundojë së shpejti”. Araghchi theksoi se Teherani nuk po mendon për bisedime me Shtetet e Bashkuara.

“Negociatat me Uashingtonin nuk janë më në axhendë. Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë sulmet tona me raketa kundër tyre për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, deklaroi ai në një intervistë për rrjetin televiziv amerikan PBS.

Araghchi fajësoi SHBA-në dhe Izraelin për çmimet e naftës, duke thënë se nuk e kanë ndaluar qarkullimin e anijeve në Ngushticën e Hormuzit.

“Shikoni, nuk është faji ynë. Nuk është plani ynë. Prodhimi i naftës, transporti i naftës është ngadalësuar apo është ndaluar, jo për shkak tonin, por për shkak të sulmeve dhe agresionit nga Izraeli dhe Amerika kundër nesh. Ata e kanë bërë të gjithë rajonin të pasigurt. Dhe për këtë tankerët, anijet janë të frikësuar të kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit. Nuk e kemi mbyllur atë Ngushticë, nuk po i ndalojmë ata që të qarkullojnë në atë ngushticë”, theksoi Araghchi.

I pyetur për infrastrukturën e naftës që Irani ka goditur në Arabinë Sauditem Irak dhe Kuvajt, ministri iranian tha se janë detyruar të bëjnë një gjë të tillë, pasi nuk mund të arrijnë tokën amerikane.

“Atë që jemi duke e bërë, është se jemi duke mbrojtur veten tonë. Jemi duke u përballur me një akt agresioni që është absolutisht ilegal, ndërsa ne po vetëmbrohemi, që është legal dhe legjitim. Paraprakisht kemi paralajmëruar të gjithë në rajon se nëse na sulmon SHBA-ja, pasi nuk mund të arrijmë tokën amerikane, duhet të sulmojmë bazat në rajon. Objektet e tyre, instalimet e tyre dhe pronat e tyre. Dhe si rezultat lufta do të shpërndahet në rajon. Këto janë rezultatet e sulmit amerikan ndaj nesh”, tha Araghchi.

Ndërkohë, zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Kazem Gharibabadi, tha se Irani ka epërsinë në përballjen aktuale.

Planet e tyre kanë dështuar dhe ata nuk i kanë arritur qëllimet e tyre. Irani i ka dëmtuar rëndë Izraelin dhe SHBA-në. Shikoni gjendjen e energjisë globale dhe ekonomisë globale. Ne kemi epërsinë dhe do të vendosim vetë kur të përfundojë lufta”, deklaroi ai, sipas raportimit të Al Jazeera.