Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias viziton sot Kosovën. Kryediplomati grek arrin në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në orën 9:00. Ndërsa pritet nga Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Meliza Haradinaj-Stublla.
Në ora 9:30 ministri grek do të pritet nga kryeministri, Avdullah Hoti, ndërsa në ora 11:00 do të pritet nga ministrja e Jashtme Haradinaj – Stublla.
Ministrja Haradinaj e ka vlerësuar shumë të rëndësishme vizitën e kryediplomatit grek. Ka thënë se pavarësisht pse Greqia është në mesin e shteteve që nuk e njohin Kosovën, është duke u ndërtuar një themel i fuqishëm i bashkëpunimit që shkon drejt aspiratës për njohje.
“Greqia është shtet i BE’së, shtet i rajonit, përkundër që ka qenë një shtet mosnjohës, në mesin e shteteve mosnjohësve, Greqia ka vënë një standard të lartë të bashkëpunimit, kjo vizitë është një sinjal i mirë se marrëdhëniet tona po thellohen. Po ndërtohet një themel i fuqishëm në ndërtimin e aspiratës tonë që shkon drejtë njohjes, besoj që sot gjatë ditës do të kemi kohë dhe mundësi që bashkë me ministrin të diskutojmë edhe modaliteet dhe fushat që do të mund të punonim bashkë”, ka thënë Haradinaj./RTV21
