Pas kronikës së TV21 për minibusin e vjetër që transportonte nxënësit Vizbegut për në shkollë, kanë reaguar autoritetet. Minibusi i vjetër është zëvendësuar me një të ri. Megjithatë edhe i riu nuk e zgjidh problemin pasi brenda tij nuk ka mjaftueshëm hapësirë për të gjithë nxënësit. Shumica prej nxënësve qëndrojnë në këmbë 30 minuta deri te shkolla “Adem Jashari” në Çair.
TV21 udhëtoi bashkë me nxënësit deri në shkollë. Siç shihet në minibus kishin hyrë më shumë se 40 nxënës edhe pse sipas rregullave të komunikacionit në këtë minibus kanë të drejtë të voziten 20 udhëtarë.
Nga Ministria e punëve të brendshme thonë se për shkelje të kësaj rregulle të komunikacionit vijon gjobë deri në 2000 euro.
Për rastin në fjalë, kryetari i Komunës së Butelit, Velimir Smilevski për Tv21 tha se komuna si organ nuk e din numrin e saktë të nxënësve që udhëtojnë nga ky vendbanim.
Sot kreu i qytetit, Petre Shilegov tha se edhe pse nuk janë kompetent, NQP-ja dhe qyteti i Shkupit po i dalin në ndihmë komunës së Butelit për transportin e nxënësve.
Por TV21 zbuloi se minibusi i vjetër që transportonte fëmijët nuk është hequr nga përdorimi, por vetëm se i është ndërruar detyra. Tani ky minibus është caktuar në linjën e rregullt për qytetarët nga Vizbegu për në qytet dhe anasjelltas.
