LSDM vazhdon me reagimet pas shkrimit të “The Times” se Maqedonia dhe Britania e Madhe kanë marrëveshje për ndërtimin e kampeve të refugjatëve në vend. Siç publikoi “The Times”, marrëveshja parashikon pranimin e tyre në vendin tonë pasi paraprakisht do të deportoheshin me forcë nga Britania, dhe për secilin prej tyre do t’i paguhej shtetit. Nga LSDM pyesin kush ka lejuar lidhjen e marrëveshjeve të tilla.
“Mickoski dhe DPMNE me politikat e tyre i largojnë të rinjtë maqedonas nga shteti, ndërsa tani planifikojnë të sjellin migrantë nga vende të treta. Kush i ka dhënë leje Mickoskit të negociojë për migrantë? Askush. LSDM me gjithë kapacitetin do t’u kundërvihet këtyre politikave antishtetërore të Mickoskit dhe DPMNE-së. I thërrasim qytetarët që së bashku të kundërvihemi, sepse bëhet fjalë për Maqedoninë”, tha Bogdanka Kuzevska.
Nga Qeveria dje i hodhën poshtë këto spekulime, ndërsa nga VMRO–DPMNE pretendojnë se fare nuk bëhet fjalë për marrëveshje me Britaninë për pranimin e migrantëve. Antonio Milloshoski thotë se pasi Britania doli nga BE, ajo ka lidhur marrëveshje jo vetëm me Maqedoninë, por edhe me të gjitha vendet e BE-së për t’i rikthyer bazën ligjore Frontex-it që të ketë bazë juridike për luftë kundër migracionit të paligjshëm. Ai thotë se është e vërtetë që me këtë marrëveshje parashikohen mjete, por ato janë të destinuara për projekte infrastrukturore e jo për kampe refugjatësh.
“Me këtë marrëveshje për partneritet strategjik parashikohen mjete me të cilat do të ndërtohet infrastrukturë në Maqedoni. Është e vërtetë, do të ndërtohen hekurudha, do të ndërtohen autostrada, do të ndërtohen projekte shëndetësore dhe energjetike, por për fat të keq të opozitës që po mundohet të spinon, nuk do të ndërtohen asnjë lloj kampesh refugjatësh”, deklaroi Antonio Milloshoski.
Nga Ambasada Britanike më herët kanë dërguar një njoftim ku theksohet se të dy vendet kanë partneritet strategjik të fokusuar në thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe të sigurisë, por edhe se bashkëpunojnë përmes Grupit të Përbashkët të Punës për Migrim për luftë kundër migrimit të parregullt dhe krimit të organizuar të migrimit.
