Milloshoski me Facebook i cakton seancë Osmanit! Do ta ndërpres udhëtimin që të marr pjesë, përgjigjet ministri

TË FUNDIT

Të mërkurën në orën 15 në Komisionin kuvendor për Politikë të Jashtme do të mbahet debat ku Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani pritet të referojë për zhvillimin e negociatave me Bullgarinë. Kjo vjen për shkak të përplasjeve mes kryetarit të këtij komisioni, Antonio Milloshoski dhe ministrit Osmani. Milloshoski përmes Facebook-ut kërkoi raport nga Osmani, i cili iu përgjigj se do të bëjë përpjekje maksimale për t’iu drejtuar deputetëve.

 “Do t’i bëj të gjitha përpjekjet për ta ndërprerë ofanzivën aktuale diplomatike që të mërkurën për disa orë të jem në Shkup për t’iu drejtuar deputetëve dhe anëtarëve të Komisionit për Politikë të Jashtme. Pres që së paku, me të njëjtin zell edhe Antonio Milloshoski të caktojë seancën në të cilën do t’i prezantojnë tezat edhe Ambasadorët e zgjedhur, me çka do të hapet rruga për dërgimin e tyre në vendet të cilat i mbulojnë”, tha ministri i Jashtëm, Bujar Osmani.

Paraprakisht Milloshoski rikujtoi se në janar Qeveria ka miratuar përfundim se para deputetëve do të prezantohen informacionet për propozim Planin aksional i cili negociohej me Bullgarinë, por deri më tani kjo gjë nuk është bërë, andaj ai paralajmëroi se do të caktojë seancë.

 “Më 11 qershor, pas protestave disa ditore të opozitës, ministri për punë të jashtme, Osmani, deklaroi se është i gatshëm të referojë para deputetëve për negociatat kontroverse që dyshja Zaev-Buçkovski  udhëheq me Bullgarinë. Deri më tani në vend të llogaridhënies kishim heshtje, jo-transparencë dhe nënçmime të shpeshta të Maqedonisë. Andaj, si kryetar i Komisionit për politikë të jashtme do të caktoj seancë të mërkurën në orën 15, ku ministri Osmani do të duhet të prezantojë propozim Planin aksional dhe propozim-udhërrëfyesin të cilin Zaev dhe Buçkovski e negociojnë me Sofjen”, potencoi Antonio Milloshoski nga VMRO-DPMNE.

Edhe përkundër kësaj, Milloshoski paralajmëroi se VMRO-DPMNE do të vazhdojnë me protesta para Ministrisë për Punë të Jashtme nga ora 17 deri në orën 19. Dje Osmani tha se nuk e kupton pse po mbahen protesta për shkak se, siç theksoi, ai çdoherë është i hapur dhe i gatshëm të dalë para deputetëve dhe opinionit. Nuk trokitet në derë të hapur – porositi Osmani.