Para se të nënshkruhet, VMRO-DPMNE paralajmëroi se Marrëveshja për fqinjësi të mirë me Bullgarinë është e dëmshme, ndërsa gabim shtesë është ajo që edhe pushteti i ngriti pritshmëritë e qytetarëve se do të bëhemi anëtare të BE. Këtë për TV21 e theksoi Antonio Milloshoski – kryetar i Komisionit parlamentar për punë të jashtme. Ai vlerëson se kjo do të shkaktojë krizë politike në vend dhe se për këtë qëllim nevojitet formimi i Qeverisë së ekspertëve. Ai paralajmëroi se do të parashtrojë interpelancë për zv.kryeministrin Dimitrov.
“Vlerësoj se është bërë gabim që u nënshkrua Marrëveshja dhe gabim shtesë ishte ajo që te opinioni u ngrit pritshmëria joreale për BE. Sot po përballemi me veto dhe mendoj se do të shkaktojë edhe krizë politike dhe zhgënjim të madh te qytetarët që 30 vjet u lodhën nga Greqia, ndërsa tani kemi në paralajmërim rast të njëjtë në dekadën e ardhshme”, theksoi Antonio Milloshoski nga VMRO-DPMNE.
Nga LSDM thonë se vetoja nga Bullgaria nuk është në frymën e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë, e as me vlerat evropiane.
“Për gjuhën dhe identitetin maqedonas nuk ka pasur e as nuk do të ketë negociata. Ne do të vazhdojmë edhe më tej me reformat, do të vazhdojmë edhe me luftën, do të vazhdojmë edhe me bisedimet dhe do të kërkojmë zgjidhje me argumente”, tha Jovan Mitrevski nga LSDM.
Për qëndrimin e Aleancës së shqiptarëve rreth bllokadës bullgare kërkuam qëndrim nga Zijadin Sela, por ai paralajmëroi konferencë për media për nesër ku do të shpalos qëndrimin e tyre.
Ish euro ambasadori në vend, Ervan Fuere thotë se është e pakuptimtë që Bullgaria të shfrytëzojë anëtarësimin në BE që të imponojë interpretim të vetin të historisë, ndërsa veton e vlerësoi si të pakuptimtë dhe taktikë kundër-produktive.
“Kjo është kundër-produktive për shkak se këto aktivitete e groposin politikën për zgjerim të BE dhe shkojnë tërësisht kundër parimeve ndaj të cilave bazohen parimet e integrimit evropian dhe me të cilat Bullgaria është pajtuar kur është bërë anëtare e BE në vitin 2007”, u shpreh ish-euro ambasadori në vend, Ervan Fuere.
Para takimit të sotëm të Këshillit të ministrave, shefja e diplomacisë bullgare, Ekaterina Zaharieva, e përsëriti qëndrimin se nuk do të japin dritë jeshile që Maqedonia t’i fillojë negociatat me BE. RMV do të ketë vend në BE kur do të jetë e përgatitur. Për momentin Bullgaria nuk vlerëson se vendi është i gatshëm, deklaroi Zaharieva.
