Drejtori i ri i Agjencisë për Siguri Kombëtare, Zarko Milloshevski, të martën në seancën e Komisionit parlamentar për Mbikëqyrje të Punës së Agjencisë, me shumë gjasa do të vijë me raport të ri për të referuar për rastit me dhënien e mendimit pozitiv për shtetësinë e Oleksandër Onishçenkos. Drejtori i ri i shërbimeve të sigurisë, këto ditë ka bërë hetim të ri të zgjeruar, nga Komisioni Disiplinor i sapoformuar pasi shfuqizoi Komisionin e mëparshëm që punonte mbi këtë rast. Nga VMRO DPMNE thonë se Milloshevski po tenton ta fshehë rastin me Onishçenkon, sepse ai është personi përgjegjës për lëshimin e bërë. Ai me nënshkrimin e tij ka miratuar verifikimin pozitiv për oligarkun ukrainas, shtojnë nga partia opozitare.
“Me themelimin e Komisionit të ri, Milloshevski nuk i mbron dy të punësuarit në ASK ndaj të cilëve është ngritur procedura, por e mbron vetveten, sepse ata sipas hierarkisë janë më poshtë se ai, kurse ai ishte zyrtari që ka miratuar kontrollin. Themelimi i Komisionit të ri të përbërë nga njerëz të afërt të Zarko Milloshevskit ka për qëllim vetëm ta fshehë hetimin real. Zarko Milloshevski e di se është drejtpërsëdrejti përgjegjës në procedurën për dhënien e shtetësisë së Onishçenkos, sepse e ka miratuar verifikimin pozitiv, kurse Viktor Dimovski vetëm ka nënshkruar aktin që e ka miratuar ai”, tha Dragan Kovaçki, VMRO-DPMNE.
Dje, kryeministri Kovaçevski, nuk deshi të komentojë asgjë lidhur me këtë rast, vetëm tha se drejtori i ri duhet të referojë edhe para deputetëve, edhe para Qeverisë në një seancë të mbyllur.
“Debati do të vazhdojë në atë seancë në koordinim mes kryetarit të Komisionit, kryetarit të Kuvendit, me shumë siguri edhe drejtorit të Agjencisë për Siguri Kombëtare, me çka hetimin tani do të duhet ta finalizojë udhëheqësia e re e Agjencisë për Siguri Kombëtare, të referojë në Kuvend, po ashtu edhe në Qeveri, normalisht në një seancë të mbyllur. Pas kësaj, sipas rezultateve të atij hetimi do të mund të ndërmerren hapat e duhur”, pohoi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
Milloshevski, i cili në krye të Agjencisë për Siguri Kombëtare erdhi para 10 ditëve, post të cilin e trashëgoi nga ish-drejtori Viktor Dimovski, vjen nga Sektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Bashkëpunim me NATO, pikërisht nga Sektori ku u konstatua se është bërë lëshim në rastin me Onishçenkon.
