Bullgaria do t’i ndërmarrë të gjitha masat në lidhje me rastin e Hristijan Pendikov në Ohër dhe këto masa tashmë janë duke u zhvilluar, njoftoi ministri bullgar i Punëve të Jashtme Nikollaj Millkov.
Në një deklaratë për BNT, Millkov tha se tashmë i ka njoftuar ministrat e punëve të jashtme të vendeve anëtare të BE-së në Këshillin e Punëve të Jashtme në Bruksel. Një memorandum me shkrim për këto çështje u është dorëzuar të gjitha vendeve anëtare dhe është paralajmëruar takimi me ambasadorët e BE-së në Sofje.
“Do të përdoren edhe mekanizma të tjerë, përfshirë mekanizmin e OSBE-së, e cila ende ka një mision vëzhgues në Shkup. Ne i kemi mjetet e Këshillit të Evropës”, tha Millkov.
Shefi i diplomacisë bullgare beson se për festimin e ditëlindjes së Goce Dellçevit më 4 shkurt, të dyja vendet dhe kryesisht institucionet në Maqedoninë e Veriut duhet të qëndrojnë të qetë dhe të përmbahen nga çdo provokim për të siguruar rendin e nevojshëm dhe kushdo që dëshiron mund shkojë dhe të bëjë homazhe.
