Millanoviç: Shqipëria duhet sa më shpejtë të anëtarësohet në BE, ka mbështetjen e Kroacisë

TË FUNDIT

-Shqipëria mund të llogarisë në mbështetjen e Kroacisë gjatë vazhdimit të negociatave me Bashkimin Evropian, deklaroi të hënën presidenti kroat Zoran Millanoviç në një takim me ministren shqiptare për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, duke rikujtuar qëndrimin e tij se ky vend duhet sa më shpejt të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, madje sipas tij, duhet të ishte pranuar tashmë si anëtare, shkruajnë mediat kroate.

Presidenti i Republikës e priti sot ministren Spiropali në Pallatin Pantovçak. Temat kryesore të diskutimit ishin marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve, bashkëpunimi rajonal dhe negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, njoftoi Zyra e Presidentit.

Nga ana e saj, ministrja Spiropali informoi presidentin mbi përpjekjet e deritanishme të Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit dhe rezultatet e procesit negociator. Ajo theksoi se Shqipëria ka hapur të gjitha kapitujt negociatorë dhe pret përshpejtimin e bisedimeve, ku do të tregojë gatishmërinë e saj për anëtarësim.