Seleksionuesi i Maqedonisë së Veriut, Bllagoj Milevski nuk e fshehu kënaqësinë pas fitores senzacionale të mbrëmshme ndaj Italisë me rezultat (1:0), duke theksuar në konferencën për shtyp pas ndeshjes në Palermo se është krenar për lojtarët e tij.
“Kemi fituar në stilin italian kundër italianëve, me gol prej dy tentimeve. Jam shumë i lumtur dhe krenar për këtë fitore”, deklaroi Milevski, i cili e çoi reprezentacionin në finale të balotazhit për Botëror, ku të martën si mysafir kundërshtar do ta ketë Portugalinë.
“Elif Elmaz kthehet për finale dhe do ta kemi ndihmë të madhe. Jam shumë i lumtur për Trajkovskin për golin e shënuar. Ishim në dijeni se Italia është ekip i madh me shumë kampionë, por kemi luajtur siç është dashur. Para ndeshjes u thash lojtarëve të argëtohen dhe ata e bënë pikërisht këtë”, shtoi Milevski.
