Sandro Tonali ka pranuar ofertën e Newcastle dhe është gati të largohet nga Milani, i cili pas dy javësh nga largimi i Maldinit ul një tjetër flamur. Lajm që tronditi tifozët kuqezi, të cilët u revoltuan masivisht në rrjetet sociale. Megjithatë, paratë që do të vijnë nga ky operacion do të hapnin mundësi të reja për përforcimin e skuadrës. Të shumtë janë emrat që kanë dalë në orët e fundit, si në mesfushë ashtu edhe në sulm, e ndër ata që tashmë njihen si Guler, Thuram dhe Frattesi, çuditërisht është shfaqur edhe Romelu Lukaku.
Kështu raporton La Gazzetta dello Sport, sipas së cilës në Casa Milan është pjekur në fakt ideja e bujshme për të “rrëmbyer” nga Interi jo vetëm Frattesi, por edhe sulmuesin belg të Chelsea, i cili vështirë se do të mbetet në Londër.
Operacioni duket shumë i vështirë sepse lojtari është shumë pranë zikaltërve dhe Zhang e klubi i Interit po bëjnë gjithçka për ta rikthyer në Milano në formë huazimi, por Djalli mund të negociojë blerjen e tij direkt dhe ta mbyllë shpejt duke befasuar konkurrencën. Çmimi? 40 milionë euro, një shumë që zikaltërit nuk mund ta paguajnë për momentin, ndërsa Milani mundet.
