Milaim Zeka është dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 1 vit burgim me kusht dhe 3 mijë euro gjobë për veprën penale “Shmangie nga tatimi”. Sipas aktgjykimit të shpallur në rigjykim, Zeka nuk do ta vuajë dënimin nëse brenda dy viteve nuk kryen vepër tjetër penale.
Gjykata po ashtu e obligoi atë që t’i kompensojë Administrata Tatimore e Kosovës shumën prej 81 mijë eurosh, si dhe të paguajë shpenzimet procedurale dhe 20 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.
Ndërkohë, për pikën e dytë të aktakuzës, ku Zeka akuzohej bashkë me Ilir Krasniqi për “Shmangie nga tatimi”, Gjykata mori aktgjykim refuzues pasi Prokuroria u tërhoq nga ndjekja penale.
Rasti lidhet me akuzat e ngritura nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në vitin 2018, që përfshinin mashtrim me viza pune, shmangie nga tatimi dhe pastrim parash.
