Mijëra qytetarë dhe liderë botërorë në homazhet për Shinzo Abe

TË FUNDIT

Disa mijëra qytetarë japonezë i kanë dhënë lamtumirën në rrugët e Tokios ish-kryeministrit Shinzo Abe, i cili mbeti i vrarë të premten e kaluar në një atentat. Pas një funerali privat, kortezhi me trupin e tij kaloi përpara institucioneve politike, në të cilat ai punoi gjatë karrierës së tij të gjatë.

 “Nuk është se mbështes politikat e tij, por, duke qenë se ka qëndruar për një kohë të gjatë në pushtet, ai është kujdesur për ne,” – u shpreh Masumi Sekita, banore e Tokios.

Shinzo Abe ishte kryeministri më jetëgjatë në historinë e Japonisë dhe Shtetet e Bashkuara e konsideronin një aleat të fortë.about:blank

 “Gjatë kohës në detyrë, kryeministri Abe bëri më shumë se kushdo për të ngritur marrëdhëniet SHBA-Japoni në nivele të reja,” – deklaroi Antony Blinken, sekretari amerikan i Shtetit.

Ngushëllime për vdekjen e tij rrodhën nga e gjithë bota. Nga Parisi, presidenti Macron foli në emër të bashkëkombasve të tij.

 “I dërgoj konsideratat dhe miqësinë e Francës ndaj zotit Abe, bashkëshortes dhe familjes së tij, si dhe popullit japonez,” – u shpreh Emmanuel Macron, president i Francës.

Ndërkohë, një ceremoni tjetër publike në nder të ish-kreut të qeverisë do të bëhet së shpejti, në një datë që do të caktohet së afërmi.