Micotakis: Nevojitet strategji e përbashkët evropiane për përballjen me krizën energjetike

TË FUNDIT

Ky gazsjellës dukshëm do t’i ndryshojë edhe furnizimin me energji, por edhe sigurinë energjetike për të gjithë ne në kontinentin evropian, theksoi kryeministri grek Kiriakos Micotakis në fjalimin e tij në ceremoninë në Sofje për fillimin e përdorimit komercial të interkonektuesit për gazin natyror midis Greqisë dhe Bullgarisë (IGB) dhe edhe njëherë porositi se për krizën energjetike, nevojitet zgjidhje e përbashkët evropiane dhe strategji e përbashkët evropiane.

Micotakis shprehu siguri se gazsjellësi që do të sjellë gaz natyror nga Azerbajxhani në Bullgari, në kombinim  me projekte të tjera infrastrukturore që aktualisht janë duke u realizuar, “do të kontribuojë në krijimin e një rrjeti të besueshëm të furnizimit me gaz natyror”.

Ai theksoi se gazsjellësi konkret “lidh vende evropiane që ndajnë të njëjtat vlera dhe solidaritet evropian”, duke e potencuar rëndësinë dhe nevojën për të arritur zgjidhje evropiane, ashtu si për pandeminë.

“Një zgjidhje evropiane, e cila shpresoj se do të finalizohet gjatë takimeve tona të ardhshme në Pragë dhe Bruksel, do të na ndihmojë. Ashtu si me pandeminë, do të na duhet të zbatojmë një strategji të përbashkët për përballimin e krizës për të eliminuar fragmentimin, për t’u siguruar që të vendosim solidaritetin evropian mbi të gjitha, mbi interesat kombëtare. Greqia do ta mbështesë gjithmonë këtë qëndrim dhe këtë përpjekje të Komisionit Evropian”, theksoi Micotakis.

Duke folur për projektet rajonale, ai u përqendrua dhe në rëndësinë e terminalit për gaz të lëngshëm natyror në qytetin grek të Aleksandropolis.

“E dini se projekti i rëndësishëm në Aleksandropolis me terminalin dhe depozitimin do të na ndihmojë të garantojmë siguri energjetike jo vetëm për Greqinë, por edhe për vendet e tjera të Evropës Juglindore, por jo vetëm për to, por edhe për vendet e Evropës Qendrore”, porositi kryeministri grek.

Para ceremonisë, Micotakis realizoi takime bilaterale  me presidentët e Bullgarisë dhe të Azerbajxhanit, Rumen Radev dhe Ilham Aliev, si dhe me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen.