Në tetor të vitit të kaluar VMRO-DPMNE në Prokurorinë Publike për krim të organizuar ka dorëzuar padi penale për 200 persona, për parregullsi në procesin e referendumit.
Kreu i partisë opozitare Hirstijan Mickovski, në emisionin Clik Plus, tha se ka dëshmi dhe dëshmitar se si janë mbushur kutitë e votimit gjatë referendumit të 30 shtatorit.
“Unë do të ju tregoj diçka jo zyrtarisht. Mua një njeri më ka thënë se kanë mbushur kutitë. Nuk do ta tregoj emrin, për arsye objektive. Këtu nuk do e them, por kur do të ketë reforma të vërteta në sistemin gjyqësor dhe në ministri, ai është i gatshëm të dëshmojë, kush e ka motivuar dhe si”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Nga Prokuroria Publike thonë se është hapur lëndë dhe se e njëjta i është ndarë një Prokurori Publik kompetent. Është kërkuar që të dorëzohen edhe të dhëna dhe dokumentacione tjera. Megjithatë, nga Prokuroria Publike nuk iu përgjigj pyetjes tonë të dytë – A do të thirret Mickoski për të dhënë dëshmi për rastin që thotë se ka dëshmitarë i cili është i gatshëm të dëshmoj.
“Lënda është hapur dhe menjëherë i është dhënë një prokurori publik kompetent i cili ndërmerr veprime për konfirmimin e fakteve në këtë lëndë. Në këtë drejtim është kërkuar dorëzimi i të dhënave dhe dokumentacionit dhe pritet arritja e materialit të kërkuar. Gjatë veprimit, Prokurori publik do të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e rastit”, thonë nga Prokuroria Publike.
Pikërisht në tetor të vitit të kaluar, Prokurori Publik Xhelal Bajrami, për parregullsi në procesin e referendumit, kishte thënë se do të shqyrtojë çdo padi dhe denoncim pa marrë parasysh nga kush,.
“Vëmendshëm i ndjekim të gjithë aktivitet e lidhura me referendumin, të gjithë shenjat, thirrjet nëpër konferenca për shtyp dhe përderisa vërtetojmë se në ndonjë nga ngjarjet ka elemente për përgjegjësi penale gjithsesi që ne si Prokurori do të marrim masa”, u shpreh Xhelal Bajrami, Prokuror Publik
Partia VMRO-DPMNE dyshon se rreth 50 mijë vota janë vjedhur në favor të arritjes së cenzusit. Opozita pas dorëzimit të padive në tetor të vitit të kaluar kërkoi edhe shkarkimin e Prokurorit Publik Lubomir Jovevskit nga pozita e kryeprokurorit.
Përgatiti: Zimer Jashari
