VMRO-DPMNE-ja përfundimisht e tha qëndrimin e saj – zgjedhje në mes të korrikut, në të kundërtën do t’i bojkotojnë zgjedhjet nëse ato mbahen më 5 ose 8 korrik. Kryetari i partisë, Mickoski theksoi se për VMRO-DPMNE është e rëndësishme që të caktohen protokolle të rrepta për procesin e votimit në interes të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve me monitorim të obligueshëm të OSBE/ODIHR-it.
“Për mua shumë e rëndësishme është të tejkalohet ky kulm, të krijohet stabilizim në korniza të një normaliteti, ndërsa ndërkohë të definohen protokolle të rrepta për procesin e votimit në drejtim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve. Kur të sigurohet kjo gjë, mund të shkohet në votim duke i respektuar tërësisht kushtetutën dhe ligjet. Kjo do të thotë – listë e pastruar zgjedhor dhe mision i OSBE/ODIHR në shtet,” tha Hristian Mickoski, Lider i VMRO-DPMNE-së.
Ai i sugjeroi presidentit Pendarovski ta vazhdojë gjendjen e jashtëzakonshme me qëllim që të përpilohen protokolle për mbrojtje të qytetarëve.
“Guxo. Ti do që të jesh baba i të gjithë qytetarëve, deri në fund të ditës së sotme ke kohë që ta vazhdosh gjendjen e jashtëzakonshme,” tha Hristian Mickoski, Lider i VMRO-DPMNE-së.
Përgjigje e shpejtë përmes kumtesës vijoi nga selia e LSDM-së. Sipas liderit Zaev, 5 korriku është datë ligjore për zgjedhje dhe ato do të mbahen me apo pa VMRO-DPMNE-së.
“Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së nuk u është i rëndësishëm shëndeti i qytetarëve, këto janë vetëm arsyetime që të mos ketë zgjedhje. Në takimin te Pendarovski, Hristian Micksoki nuk e përmendi as shkronjën “Sh” sa i përket shëndetit të qytetarëve ose krizës shëndetësore. Qytetarët e dinë këtë. Pikërisht Mickoski është shëtitur nëpër kafenetë dhe palestrat, duke i shkelur masat, ndërsa ministri i tij Çulev e minon sistemin dhe e rrezikon shëndetin e qytetarëve,” tha Zoran Zaev, Lider i LSDM-së.
Nga BDI-ja thonë se zgjedhje duhet pasur sa më shpejt që është e mundur nëse arrihet marrëveshje mes partive për një datë tjetër, pas 5 korrikut. Mbikëqyrësit ndërkombëtarë pritet që të vijnë në vend pas 19 qershorit. Në ueb faqen e OSBE/ODIHR-it tashmë është publikuar konkurs për angazhim të ekspertëve të sferave të ndryshme të cilët duhet ta vëzhgojnë procesin zgjedhor.
