Mickoski: Të martën do të bëhen të ditura ndryshimet kadrovike në Qeveri

TË FUNDIT

Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se të martën e javës së ardhshme do të mbahet mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, pas së cilës do të bëhen të ditura zgjidhjet kadrovike dhe ndryshimet e resorëve në kuadër të rikonstruimit të paralajmëruar të Qeverisë.

Duke folur në emisionin “Studio e Hapur” në RTVM, Mickoski theksoi se rikonstruimi nuk motivohet vetëm nga rezultatet e deritanishme të ministrave, por edhe nga nevoja për ripërcaktimin e prioriteteve të partnerëve të koalicionit qeveritar.

“Nuk janë të rëndësishme vetëm rezultatet – nëse kanë qenë të mira, jo mjaftueshëm të mira apo nuk kanë ekzistuar fare. Ndonjëherë rikonstruimi bëhet sepse ndryshojnë prioritetet. Ajo që ishte e rëndësishme para dy vitesh, sot ka një formë tjetër dhe kërkon një qasje ndryshe”, tha kryeministri.

Ai theksoi se partnerët e koalicionit kanë prioritetet e tyre në fusha të caktuara dhe pikërisht për këtë arsye do të ketë ndryshime në ndarjen e resorëve. Sipas tij, ende nuk është vendosur nëse rikonstruimi do të përfshijë një të tretën e pozicioneve qeveritare apo numri i ndryshimeve do të jetë edhe më i madh.

Mickoski nuk zbuloi emra konkretë apo resorë që do të jenë pjesë e ndryshimeve, duke theksuar se bëhet fjalë për vendime politike që fillimisht duhet të merren në nivel partiak.

“Së pari duhet të mbahet mbledhja e Komitetit Ekzekutiv, e më pas do t’i bëjmë të ditura emrat dhe resorët. Në thelb bëhet fjalë për ndryshim të portofoleve dhe harmonizim me prioritetet e reja të partnerëve qeveritarë”, deklaroi ai.

Duke iu referuar mandatit dyvjeçar të Qeverisë, kryeministri vlerësoi se gjendja në vend sot është dukshëm më e mirë krahasuar me atë që e gjetën kur morën pushtetin.

“E dinim se gjendja ishte e vështirë, por ajo që gjetëm ishte shumë më e keqe nga sa prisnim. Nëse dikush ka nisur nga zero, ne kemi nisur nga një minus i thellë. Sot mund të them se institucionet janë konsoliduar dhe të gatshme për të ecur më shpejt përpara”, theksoi Mickoski.

Ai shprehu bindjen se përbërja e rikonstruuar e Qeverisë do ta marrë mbështetjen në Kuvend dhe do ta realizojë me sukses mandatin, me fokus në përmbushjen e obligimeve të marra para qytetarëve.