Rikonstruimi i Qeverisë po bëhet pa zhurmë në opinion. Takimi i mbrëmshëm me dyer të mbyllura ndërmjet VMRO-së dhe VLEN-it nuk nxori emra konkret. Kryeministri Hristijan Mickoski bëri thirrje për durim.
Si kaluat në takimin e mbrëmshëm me VLEN-in?
-Koordinime të rregullta ndërmjet koalicionit, tha kryeministri Mikcoski.
A mund të na thoni diçka rreth rikonstruimit të qeverisë apo ministrive?
-Shumë shpjet këtyre ditëve do të dihet, pohoi Mickoski.
Kush do i merr funksionet e Izet Mexhitit?
-Të kemi durim, do ti bëjmë të ditur së shpejti, u shpreh Mickoski.
Cilat janë kërkesat nga partneri qeverisës?
-Shikoni, nëse do të kisha më tepër të ndaja me publikun, do i thosha që nga pyetja e parë!, theksoi kryeministri.
Deri me tani qarkullojnë vetëm informacionet jo zyrtare rreth kalkulimeve të resorëve të qeverisë.
Ministri i Ekonomisë Besar Durmishi në një brifing me gazetarët, mohoi se emri i tij është në tryezë për rikonstruimin e qeverisë.
“Informacione të tilla, të cilat shpërndahen në opinion janë vetëm për krijuar vëmendje apo huti në opinion, nuk ka pasur një iniciativë të tillë dhe deri më tani unë kam qenë i fokusuar në punët që duhej të realizoj në Ministrinë e ekonomisë dhe punës dhe atë punë po e bëj, ja edhe sot kisha një brifing me gazetarët ku i informova për të gjitha punët e realizuara deri më tani dhe punët që do të realizohen në të ardhmen. Iniciativa të tilla, apo spekulime nëpër mediume, nuk e di arsyen përse i bëjnë por jemi në një shtet demokratik edhe ndodh të dëgjojmë edhe lajme të këtilla”, tha Besar Durmishi, Ministër i Ekonomisë dhe Punës .
Në takimin e krerëve të VLEN-it dhe Kryeministrit Mickoski që u zhvillua mbrëmje, TV21 mësoi jo zyrtarisht nga burime të brendshme në qeveri se propozimi i VLEN për Ministër të Ekologjisë do të jetë Muhamed Hoxha, ish-zëdhënës i qeverisë.
