Hristijan Mickoski për herë të tretë u rizgjodh kryetar i VMRO–DPMNE-së. Si kandidat i vetëm për njeriun e parë të partisë, në Kongresin e 18-të që u mbajt në Kavadar, ai u zgjodh njëzëri me 804 vota. I ndjekur drejt foltores me duartrokitje, Mickoski u falënderua për besimin dhe porositi se sot fitoi rruga që partia e trasoi për Maqedoninë.
“Maqedonia shumë gjatë ka qenë e mësuar të e shohë veten përmes syve të të tjerëve, të matet me pritjet e huaja, të ecë me ritmin që dikush tjetër e dikton. Ndërsa mua gjithmonë më ka interesuar vetëm një pyetje – si do të duket Maqedonia kur do të fillojë të besojë në vete. Sonte, kur e miratuam doktrinën, kur e vërtetuam Strategjinë, kur dhamë betim para kombit, ndjeva se jemi shumë më afër atij versioni të Maqedonisë”, tha Mickoski.
Në fillim të Kongresit, Mickoski e paraqiti dokumentin kongresual “Kapitull i ri – Strategjia Maqedonia 2030”, kornizë programore për veprimtarinë e ardhshme pesëvjeçare të VMRO–DPMNE-së. Tha se Maqedonia është shtëpi e përbashkët për të gjithë, por edhe obligim për secilin. Maqedonia duhet të jetë shtet me vetëbesim, theksoi dhe shtoi se vendi është i ndërtuar mbi vlerat evropiane dhe aty i takon, por që nuk mund të negociohet për identitetin e saj.
“Shteti është i ri, i ekspozuar ndaj tundimeve historike dhe shpesh i përballur me përpjekje për relativizimin e ekzistencës së tij. Prandaj VMRO–DPMNE e vendos vijën e ardhshme strategjike. Identiteti kombëtar nuk është objekt i negociatave. Gjuha, historia dhe kultura janë shtylla fundamentale të shtetit”, deklaroi Mickoski
Ky është përndryshe mandati i fundit i Mickoskit në krye të partisë, sepse sipas statutit të partisë nuk mund të zgjidhet më shumë se tre herë një kryetar. Përndryshe, ai më parë paralajmëroi se pas këtij Kongresi do të ketë edhe ndryshime brenda partisë, respektivisht Komitet të ri Ekzekutiv si dhe ndryshim të një pjese të nënkryetarëve, ndërsa jozyrtarisht do të ketë ndryshim edhe të sekretarit të përgjithshëm të partisë.
