VMRO-DPMNE do të preferonte Lidhjen Europiane për Ndryshim para BDI-së nëse pas zgjedhjeve marrin mandatin për të formuar qeverinë. Sipas kryetarit të kësaj partie Hristijan Mickoski, kjo do të varet edhe nga programi i tyre zgjedhor, mirëpo siç shton, partneri që dëshirojnë është “opozita e konsoliduar shqiptare”.
“Partneri që dëshirojmë ne normalisht është opozita e konsoliduar shqiptare. Bllokun që e udhëheqin katër liderët e partive politike ato janë Mexhiti, Kasami, Gashi dhe tani Taravari. Ne në të ardhmen do të donim me ta të bashkëpunojmë, në Qeverinë e ardhshme, tha Hristijan Mickoski”, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Por sa është e gatshme opozita e baskuar shqiptare që të lidhë koalicion me VMRO-DPMNE-në? Për të mësuar këtë, pyetëm në LEN, mirëpo nuk morëm përgjigje.
Për këtë, kreu i Lëvizjes Demokratike Izet Mexhiti, dy javë më parë pati thënë se VMRO-ja e Mickoskit ka problem me ndryshimet kushtetuese, por do ua bëjnë me dije se vlerat e partisë janë vlerat e Bashkimit Europian.
“Kur themi me VMRO-në me cilën VMRO? VMRO-ja e Gruevskit është me Ali Ahmetin dhe LSDM-në. VMRO-ja e Mickoskit është parti e re. Ka problem me ndryshimin e kushtetutës por ne prioritet mbi prioritetet e kemi integrimin e vendit në NATO dhe Unionin Europian, siç kemi kontribuar në të kaluarën do të kontribuojmë prap”, tha Izet Mexhiti, kryetar i LD-së.
Kësaj pyetje iu përgjigj edhe Azir Aliu nga Aleanca për Shqiptarët krahu i Taravarit, të cilët së fundmi iu bashkëngjit opozitës shqiptare.
“Ne nuk do të bëjmë koalicion me asnjë parti politike e cila nuk është në përputhshmëri me vlerat dhe politikat e partisë tonë. Ju e dini që një nga vlerat e partisë është Bashkimi Europian, vlerat e Bashkimit Europian. Këtë zaten ne e thamë jo vetëm në letër por edhe në vepër. Bie që nuk do të koalicionojmë me asnjë parti politike e cila është në kundërshtim me vlerat tona dhe jo në përputhje me vlerat europiane”, u shpreh Azir Aliu, ASh/Taravari.
Sipas Mickoskit, të dy blloqet shqiptare, pra Fronti Europian i udhëhequr nga BDI dhe Lidhja Europiane për Ndryshim, do të ishin të barabarta sa i përket numrit të deputetëve. Parasheh që të dy palët të fitojnë diku 12 deri në 15 deputetë.
